‘Miss ShBA’ akuzon kongresmenin republikan Cory Mills se e ka shantazhuar me publikimin e videove intime

Mbretëresha aktuale e bukurisë në ShBA, Lindsey Langston, ka ngritur akuza serioze ndaj kongresmenit republikan Cory Mills (R-Fla.), duke e akuzuar se e ka kërcënuar me publikimin e videove intime dhe fotove nudo – si dhe se ka premtuar se do t’u bëjë dëm burrave që ajo mund të frekuentojë në të ardhmen – pas përfundimit të lidhjes së tyre në fillim të këtij viti, kur ajo mësoi se ai po shoqërohej me një grua tjetër.

Langston, e cila u kurorëzua si ‘Miss ShBA’ në tetor, raportoi përpjekjen për shantazh seksual në Zyrën e Sherifit të Qarkut Columbia (Florida) më 14 korrik, sipas një dokumenti të siguruar nga The New York Post.

“Nga data 20 shkurt 2025, Cory ka kontaktuar Lindsey disa herë përmes disa llogarive të ndryshme, duke e kërcënuar se do të publikojë imazhe dhe video intime të saj, përfshirë video të regjistruara të saj dhe Cory-t gjatë marrëdhënieve seksuale”, thuhet në raportin e policisë.

Kërcënimet, sipas raportit, janë bërë kur Cory kishte dyshuar se Lindsey kishte nisur të frekuentohej me dikë tjetër pas ndarjes.

Langston, 25 vjeç, ka dorëzuar screenshot-e të mesazheve në tekst dhe në Instagram të dërguara nga Mills, të cilat më pas u futën në dosjen e provave dhe u dërguan për hetim të mëtejshëm në Departamentin e Zbatimit të Ligjit në Florida (FDLE), sipas një zëdhënësi të zyrës së sherifit.

Avokati Anthony Sabatini, i cili më herët ka përfaqësuar shkurtimisht Langston dhe kishte garuar kundër Mills në zgjedhjet paraprake të republikanëve në vitin 2022, ka publikuar të paktën tre nga mesazhet e dyshuara në rrjetin social X, duke i cilësuar si “shkelje penale të ligjit për shantazh seksual në Florida – një krim i shkallës së dytë”.

Në një nga mesazhet, Mills i shkruante Langston-it: “Mund t’i dërgoj edhe atij disa video të tuat… oh, i kam ende ato”.

Mills dhe Langston, e cila mban edhe postin e përfaqësueses republikane të shtetit në parti, ishin në një lidhje që nga nëntori i vitit 2021 dhe kishin nisur të bashkëjetonin në New Smyrna Beach, Florida, që nga maji 2024, pas pretendimeve të Mills se kishte finalizuar divorcin me bashkëshorten e tij të larguar, Rana Al Saadi.

Por në shkurt të vitit 2025, aktivistja republikane iraniano-amerikane, Sarah Raviani, deklaroi se “partneri i saj prej më shumë se një viti” e kishte “kapur, shtyrë dhe e kishte nxjerrë jashtë nga dera” në të njëjtin apartament luksoz në Uashington ku banonte Mills, sipas një raporti policor të parë nga NBC Washington.

Raviani – e cila sipas raportit kishte “shenja të dukshme në krah që dukeshin të freskëta” – nuk pranoi të ngrejë akuza penale dhe më pas lëshoi një deklaratë ku e cilësonte incidentin si “një çështje personale”, duke shtuar se kishte qenë “shumë e lodhur nga udhëtimi”, “kishte konsumuar alkool”, dhe se shenjat në trup i atribuoheshin “kushteve mjekësore si ekzemat apo aktivitetet gjatë udhëtimit tim të fundit në Dubai”.

“Edhe pse situata ishte emocionalisht e tensionuar, nuk pati përplasje fizike”, shtoi Raviani.

Sidoqoftë, raporti i policisë që NBC kishte parë theksonte se Raviani u kishte lejuar oficerëve të dëgjonin një telefonatë të regjistruar, ku Mills e udhëzonte atë “të gënjente për origjinën e shenjave në trup” dhe se vetë ai “kishte pranuar para policëve që situata kishte degraduar nga verbale në fizike”

Langston përballej me Mills pas publikimit të lajmit për incidentin me Raviani-n, por ai e kishte mohuar kategorikisht se ishte në një marrëdhënie romantike me një tjetër grua dhe kishte pretenduar se “media e kishte trilluar historinë”, sipas raportit të sherifit.

Megjithatë, Langston më pas kishte gjetur një llogari në rrjetet sociale që i përkiste gruas tjetër dhe kishte parë foto të saj me Cory-n, sipas të njëjtit raport policor.


Shtuar 7.08.2025 14:45