Mira Murati, ndër 50 gratë më të pushtetshme në botë!

Mira Murati, një nga figurat më të shquara në fushën e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, është tashmë zyrtarisht mes 50 grave më të pushtetshme në botë, sipas listës më të fundit të publikuar nga revista prestigjioze Fortune.

Në renditjen e kaluar ajo pozicionohej në vendin e 57-të, por këtë vit ka shënuar një ngjitje domethënëse, duke u renditur në vendin e 47.

Ky progres reflekton jo vetëm ndikimin e saj të vazhdueshëm në industrinë globale të teknologjisë, por edhe fuqinë dhe vizionin që ajo përfaqëson si një lidere inovative.

Murati, dikur drejtoreshë e teknologjisë në OpenAI dhe një nga mendjet kyçe pas suksesit të ChatGPT, tronditi botën e teknologjisë kur dha dorëheqjen nga kompania në shtator të vitit 2024.
Vetëm gjashtë muaj më pas, ajo riktheu vëmendjen botërore me lansimin e startup-it të saj të ri, Thinking Machines Lab – një projekt i Inteligjencës Artificiale që po krijon jehonë të madhe, pavarësisht se ende funksionon në mënyrë të fshehtë.

Edhe pse detajet për këtë sipërmarrje janë të kufizuara, ndikimi i saj është i dukshëm.

Në maj 2025, Murati ishte në prag të mbylljes së një investimi rekord prej 2 miliardë dollarësh, që pritet të vlerësojë Thinking Machines në mbi 10 miliardë dollarë një prej raundeve më të mëdha të financimit në historinë e teknologjisë.


Shtuar 31.05.2025 17:00