Miratimi në Kuvend i ligjit për Barazinë Gjinore, ka nxitur një debat gjithmonë të tensionuar në shoqërinë shqiptare. Në thelb ligji i ri synon rifreskimin e përkufizimit të përkatësisë gjinore si dhe rritjen e barazisë sociale.
Ndërkohë debatet rreth këtij ligji orientohen drejt hapes së rrugës së pranimit të gjinive të reja, përveç asaj mashkull dhe femër, apo burrë dhe grua siç është përcaktuar sot.
Transgjinorja Amber Kandy e ftuar në studion e Top Story, tregon se ky ligj nuk ka ndryshuar asgjë në qasjen e kësaj kategorie në shoqëri duke thënë se në dokumentacione ajo rezulton e regjistruar si burrë.
“Në momentin që unë e kam vendosur të jetoj në Shqipëri dhe nuk kam zgjedhur Europën si shoqet e mia, të cilat kanë marrë azile politike dhe gjëra të tilla. Unë kam dashur që forcën time ta tregoj në vendin tim. Ky ligj nuk ndërhyn në gjendjen civile, sepse unë në dokumentet e mia nuk e gëzoj gjininë që kam.
Njerëzit e kanë ngatërruar këtë ligj me komunitetin LGBTI+. Unë në dokumentacionin tim nuk e kam ndryshuar gjininë edhe pse në operacionet e kam ndryshuar. Kjo më pengon, sepse kjo është zgjedhja ime, dua që në dokumente të jem kjo që jam. Nuk më shton asgjë ky ligj.
Ligji normalisht del, konfirmohet dhe zbatohet. Sepse shqiptarët kështu janë mësuar, ecin me ligje. Nuk ecin me instinktin e njeriut që të respektojmë njëri-tjetrin”, tha Amber.
