Lediona Xheladinaj bën rrëfimin prekës pas aksidentit

Gazetarja dhe ish-konkurrentja e “Big Brother VIP Albania 3”, Lediona Xheladinaj, ka rrëfyer për herë të parë publikisht aksidentin e rëndë me motor që kaloi në dhjetorin e shkuar.

Teksa ishte e ftuar në emisionin “Ftese në 5” me Bieta Sulon, ajo tregoi se ngjarja ka lënë gjurmë të thella fizike dhe emocionale tek ajo.

Lediona shpjegoi se në momentin e incidentit ishte duke udhëtuar drejt Dibërs për çështje pune, kur papritur humbi kontrollin e motorit.

Rrëzimi e la te plagosur rëndë dhe e paaftë të lëvizte, duke pritur për rreth 30 minuta në vendin e ngjarjes, derisa mbërriti ndihma.

“Pyetja e parë që i bëra mjekut ishte: A do të eci më? Nuk më interesonte sa kohë do të duhej. Doja vetëm të vija këmbët sërish në tokë”, tregoi ajo me emocione.

Ditët e para pas aksidentit ishin të mbushura me dhimbje, pasiguri dhe ankth. Lediona rrëfeu se rikuperimi ka qenë një sfidë e gjatë, duke përfshirë jo vetëm ndërhyrje mjekësore, por edhe përballje me vështirësi të përditshme, deri te veprimet më elementare që duhej t’i mësonte sërish.

Megjithatë, falë kujdesit dhe mbështetjes së pandërprerë të nënës dhe motrës, ajo ka arritur të rikthehet gradualisht në formë. Lediona theksoi se kjo periudhë e ka ndryshuar shumë dhe e ka mësuar të vlerësojë gjërat më të thjeshta të jetës.


Shtuar 12.11.2025 09:54