KPA-ja lë në fuqi vendonim e KPK-ës: Gjyqtari Bari Shyti shkarkohet nga detyra

PA ka lënë në fuqi vendonim e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i cili vendosi se gjyqtari Bari Shyti duhet të shkarkohet nga detyra.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli para 3 vitesh vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Administrativ, Bari Shyti.

Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Shyti u krye aso kohe nga trupi gjykues i kryesuar nga Genta Tafa (Bungo), me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun.

Gjyqtari Shyti u prit me protestë teksa po hynte në seancën dëgjimore të martën, më 23 mars 2021 kur disa qytetarë e akuzonin për korrupsion dhe kërkonin shkarkimin e tij.

Pas shpalljes së vendimit, ai i kërkoi trupit gjykues të merrte masa për garantimin e sigurisë së tij në ambientet e ish-Pallatit të Kongreseve ku zhvillohen seancat dëgjimore të Komisionit, duke kujtuar se herën e kaluar kishte patur një “incident”.

Kryesuesja Genta Tafa (Bungo) i shpjegoi se masat e sigurisë garantohen nga Garda e Republikës dhe se duhej ta parashtronte kërkesën pranë këtij autoriteti. Gjatë seancës dëgjimore u konstatua se Shyti rezultonte me bilanc negativ për pasurinë në vlerën totale 8.6 milionë lekë.

Gjithashtu, ndaj tij kishte raport negativ për figurën nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, si dhe u identifikuan disa gjetje për profesionalizmin.

Bari Shyti e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatat e Bulqizës dhe atë të Dibrës.

Në vitin 2013, ai u dekretua si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Durrësit dhe prej vitit 2016 e ushtron funksionin në Gjykatën Apelit Administrativ.


Shtuar 29.05.2024 17:26