Reperi i njohur amerikan Kanye West, i njohur edhe si Ye, do të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar për një nga paraqitjet më të shumëpritura të vitit, duke u shpallur si kryesuesi i Wireless Festival 2026 në Londër. Ky rikthim shënon një moment të rëndësishëm në karrierën e tij, pasi hera e fundit që ai performoi në tokën britanike ishte në vitin 2015, kur elektrizoi publikun si headliner i Festivalit Glastonbury.
Pas gati një dekade mungesë nga skena britanike, kthimi i Kanye West vjen në një kohë kur artisti ka qenë në qendër të vëmendjes jo vetëm për muzikën, por edhe për polemikat që e kanë shoqëruar vitet e fundit. Komentet e tij antisemite shkaktuan reagime të forta ndërkombëtare dhe ndikuan ndjeshëm në imazhin e tij publik, megjithatë reperi më vonë kërkoi falje publike, duke tentuar të rikthejë fokusin te muzika dhe krijimtaria e tij.
Ky rikthim në një nga skenat më të mëdha të muzikës urbane në Europë shihet si një hap i rëndësishëm drejt rehabilitimit të figurës së tij artistike. Organizatorët e Wireless Festival e kanë cilësuar pjesëmarrjen e tij si një moment historik për eventin.
Të lidhura
None found
“Kthimi i Ye në Mbretërinë e Bashkuar do të jetë një kapitull i jashtëzakonshëm në historinë e Wireless”, thuhet në deklaratën e organizatorëve, sipas raportimeve të BBC.
Wireless Festival do të mbahet nga data 10 deri më 12 korrik në Finsbury Park, Londër, dhe Kanye West pritet të jetë një nga atraksionet kryesore të tre netëve të festivalit. Sipas informacioneve të para, ai do të ngjitet në skenë në tre paraqitje të veçanta, duke sjellë një përzgjedhje të gjerë këngësh nga e gjithë diskografia e tij – nga hitet që e bënë të famshëm deri te projektet më të fundit.
Vetëm pak kohë më parë, reperi publikoi albumin e tij të 12-të, “Bully”, i cili ka ngjallur interes të madh te fansat dhe kritikët, duke rritur pritshmëritë për performancat e tij live në Londër.
Megjithatë, deri në këto momente, organizatorët nuk kanë zbuluar ende emra të tjerë artistësh që do të jenë pjesë e edicionit të vitit 2026, duke e bërë edhe më të madhe kuriozitetin rreth line-up-it të plotë.
Kthimi i Kanye West në Wireless Festival pritet të jetë një nga momentet më të komentuara të verës, duke bashkuar muzikën, spektaklin dhe rikthimin e një prej figurave më kontraverse dhe influencuese të industrisë globale.
