“Ka dalë jashtë kontrollit”, përballja e Francës me zjarret më të mëdha që nga viti 1949

Franca është përballur me një situatë të paprecedentë zjarresh, duke e çuar vendin ne një situatë të jashtëzakonshme. Zjarrfikësit luftuan për të tretën ditë për të vënë nën kontroll zjarrin më të madh të Francës në gati tetë dekada, i cili ka djegur mbi 16,000 hektarë, ka shkaktuar një vdekje dhe ka shkatërruar dhjetëra shtëpi. Pamjet e dronit treguan copa të mëdha bimësie të djegur.

Një person ka vdekur, tre janë të zhdukur dhe dy persona, përfshirë një zjarrfikës, janë në gjendje kritike, thanë autoritetet lokale.

“Deri më tani, zjarri nuk është vënë nën kontroll,” tha Christophe Magny, një nga zyrtarët që drejtojnë operacionin e shuarjes së zjarreve. Ai shtoi se shpresonte që flakët të mund të kontrolloheshin më vonë gjatë ditës. Flaka, rreth 100 km nga kufiri me Spanjën, jo shumë larg Detit Mesdhe, filloi të martën dhe është përhapur me shpejtësi.

Ai tashmë ka përfshirë një zonë një herë e gjysmë më të madhe se Parisi. Zyrtarët kanë thënë se ky është zjarri më i madh në Francë që nga viti 1949.

Zjarri tani po përparon më ngadalë, tha Ministrja e Mjedisit Agnes Pannier-Runacher për radion France Info. Shkencëtarët thonë se verat më të nxehta dhe më të thata të rajonit të Mesdheut e vënë atë në rrezik të lartë nga zjarret.

Zyra e motit e Francës ka paralajmëruar për një valë të re të nxehti që do të fillojë në pjesë të tjera të Francës jugore të premten dhe që do të zgjasë disa ditë.


Shtuar 7.08.2025 15:31

Tags: ,