Bezos dhe Lauren Sánchez po qëndrojnë në hotelin super luksoz Aman Venice, dhe sipas raportimeve, e kanë marrë me qira të gjithë pronën gjatë qëndrimit të tyre.
Një burim i tha Page Six se përpara mbërritjes së çiftit, “10 apo 12 truproja sigurie po bënin një kontroll të plotë” në këtë vend luksoz ditën e martë.
“Ata po shikonin në dollapë dhe po kontrollonin oborrin e brendshëm,” tha burimi.
Një tjetër burim shtoi se skena në hollin e hotelit ishte “kaotike”, dhe stafi po u drejtohej njerëzve me pyetjen nëse ishin mysafirë të hotelit.
Një tjetër burim i brendshëm tregoi se, “Mysafirët që kishin rezervuar më parë për natën e së mërkurës, me shumë kohë paraprakisht, u larguan nga hoteli sapo Bezos e rezervoi të gjithë hapësirën para disa muajsh”.
Burimi shtoi se, “Këta mysafirë janë transferuar në hotele të tjera, përfshirë St. Regis,” dhe se “Aman po paguan për qëndrimin e tyre, duke përfshirë një natë falas dhe përmirësime të dhomave.”
Megjithatë, thuhet se disa mysafirë janë ankuar sepse u është dashur të paketojnë, të transportohen me mjetet që ofroi Aman dhe të shpalosin valixhet përsëri në një vend tjetër.
Gjithashtu, është raportuar se punonjësit e hotelit po flasin për përgatitjet për festimet që priten, dhe se punonjësit e spa-së ndihen “të stresuar”, për shkak të volumit të madh të punës që i pret për shkak të mysafirëve të listës A.
Burime të tjera thonë se ekziston një krah i hotelit të dedikuar për të famshmit, i cili është i fshehur nga fotografët, dhe që më parë ka strehuar yje si Kylie
Në vende të tjera luksoze të Venecias, siguria po shtohet gjithashtu, ndërsa yjet po mbërrijnë për dasmën madhështore italiane të Bezos dhe Sanchez.
Shtatë oficerë të policisë italiane u panë pasdite në hollin e hotelit luksoz St. Regis Venice, ku thuhet se po qëndrojnë mysafirët VIP të dasmës.