‘Jam i vetmi mashkull në familje që kujdesem…’/ Merret vendimi për reperin Buta

Reperi i njohur kosovar, Buta, është liruar nga burgu pas vendimit të gjykatës për ndërprerjen e masës së paraburgimit.

Lajmi u konfirmua për Indeksonline nga avokati i tij, Naim Ferati, i cili tha: “Butës i është ndërprerë masa e paraburgimit.”

Buta u arrestua më 11 shtator, ndërsa një ditë më pas, më 12 shtator, gjykata vendosi masën e paraburgimit ndaj tij.

Ai u mbajt në qeli për disa javë, për shkak të akuzave për shitblerje narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje.

Pas seancës së sotme, gjykata mori vendim që ai të lirohej nga paraburgimi, duke marrë parasysh kërkesën e reperit dhe argumentet e mbrojtjes.

Para trupit gjykues, Buta theksoi se ka përgjegjësi të mëdha familjare, duke theksuar se është i vetmi mashkull në familjen e tij.

“Jam i vetmi mashkull në familje dhe kujdesem për nënën 63-vjeçare, vajzën 1-vjeçare dhe bashkëshorten time.

Pa mua ato nuk mund t’i përballojnë nevojat bazike të jetës,” u shpreh reperi i njohur.

Buta është një nga figurat më të njohura të skenës së hip-hopit në Kosovë, me një numër të madh hitesh dhe një publik të gjerë që e ndjek prej vitesh.

Lajmi për arrestimin e tij tronditi fansat dhe solli reagime të shumta në rrjetet sociale.


Shtuar 2.10.2025 14:13

Tags: ,