Ish-konkurenti i ‘Përputhen’ kërkon ftesë për të hyrë në “Big Brother VIP Albania”: Nuk di të aplikoj!

Duket se ish-banori i “Big Brother VIP Kosova 3”, Edi, nuk e ka harruar ende emocionin e jetës brenda shtëpisë më të famshme në vend. Pas daljes së tij vullnetare nga formati kosovar, ku u bë viral me paralajmërimin “do e thyej derën” – ai ka bërë një tjetër lëvizje që po komentohet gjerësisht në rrjete sociale.

Në një Instastory, Edi i është drejtuar publikisht produksionit të “Big Brother VIP Albania”, duke kërkuar të marrë pjesë në edicionin e pestë të spektaklit:

“BBVA, dërgomani ftesën, s’di qysh me apliku,” – ka shkruar ai, duke shtuar një emoji me të qeshura, si për t’i dhënë një notë humori dëshirës së tij.

Mesa duket, eksperienca e parë në BBVK nuk e ka larguar nga ethet e formatit, përkundrazi, Edi po kërkon një rikthim, këtë herë në versionin shqiptar të reality show-t më të ndjekur.

Kjo nuk është hera e parë që ai shpreh publikisht dëshirën për t’u bërë pjesë e “Big Brother VIP Albania”. Edhe më herët, gjatë kohës që Gjesti ishte pjesë e shtëpisë në sezonin e katërt, Edi kishte bërë një thirrje të ngjashme, duke treguar hapur pasionin e tij për formatin.

Ndërkohë, sezoni i pestë i BBVA pritet të nisë rreth mesit të dhjetorit, edhe pse data zyrtare ende nuk është konfirmuar.


Shtuar 20.10.2025 21:15