Një debat i fortë ka shpërthyer në mediat rozë pasi ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Shqipe Hysenaj, deklaroi se kishte dëgjuar thashetheme për Parashqevi Simakun, që sipas saj “u merrte burrat të tjerave” gjatë kohës që jetonte në Amerikë.
Në intervistën e saj në emisionin “Live From Tirana”, Hysenaj tha se këto histori i kishin ardhur përmes bisedave midis shqiptarëve në SHBA. Ajo tha se nuk do të deklarojë se janë të vërteta, por se ishte “shokuese t’i dëgjoje”:
“Kam dëgjuar që Parashqevi Simaku ka qenë një nga ato persona që u merrte burrat të tjerave … më kanë thënë që ka ndodhur shumë herë.”
Reagimi i menjëhershëm erdhi nga biznesmeni Elton Ilirjani, i cili në emër të Simakut paralajmëroi se do të ndiqej çështja në rrugë ligjore. Ai i cilësoi fjalët e Hysenajt si shpifje dhe “një kryqëzim për të gjithë shpifësit dhe thashethemexhinjtë.”
Përmes një postimi, Ilirjani shtoi se Simaku është “legjenda e muzikës shqiptare”, dhe se deklaratat e tilla nuk mund të kalojnë pa përgjegjësi ligjore.
Nga ana e saj, Parashqevi Simaku ka reaguar përmes një deklarate zyrtare, ku thotë se prej 10 muajsh emri i saj përdoret si “tabelë qitjeje” me qëllim të tërheqjes së vëmendjes përmes shpifjeve dhe pavërtetave. Ajo thekson se nuk është hera e parë që këto llojë sulmesh i ka përjetuar, dhe se publiku e njeh mirë për karrierën dhe kontributin e saj.
Ajo shkruan ndër të tjera:
“Asnjëherë nuk e kam menduar se do të më duhej të reagoja për gjëra kaq të ulëta, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin … Publiku im më njeh prej vitesh … në atë moment, e ulni vetëm veten.”
Deklarata e Simakut thekson se ajo do të vazhdojë rrugën e saj me dinjitet dhe të vërtetën në krah.
Në median rozë dhe rrjetet sociale, ky konflikt ka ndezur diskutime të shumta. Një pjesë e ndjekësve kritikojnë fjalët e Hysenajt si të paprovokuara dhe me qëllime sensacioni, ndërsa të tjerë shprehen se çdo pohim i tillë duhet të vërtetohet me fakte para publikimit.
Reagimi i plotë
Prej 10 muajsh, emri im është përdorur si tabelë qitjeje nga njerëz që përpiqen të tërheqin vëmendje përmes shpifjeve dhe të pavërtetave. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të më duhej të reagoja për gjëra kaq të ulëta, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin.
Por në fakt, kjo nuk është hera e parë që ndodh. Edhe në vitet 1985–1988 flitej për mua – për çmimet që kisha fituar me shumë punë, përkushtim dhe sakrifica – por shumë nga ata flisnin me mllef dhe zili. Edhe atëherë, si sot, zgjodha të mos ndalem.
Sot dua t’ju them vetëm kaq: Mua nuk më bëni dot asgjë. Publiku im më njeh prej vitesh dhe e di shumë mirë kush jam, çfarë kam dhënë dhe çfarë përfaqësoj.
Nëse për disa klikime zgjedh të ulësh dikë tjetër me shpifje, jini të sigurt: në atë moment, e ulni vetëm veten. Unë vazhdoj rrugën time me dinjitet dhe të vërtetën në krah. Kjo është forca ime.