Elia Zaharia ishte e ftuar në emisionin “ArtKand”, kësaj radhe jo si aktore, por si autore e një libri për fëmijë me titull “Perla dhe Dreri i Artë”. Në prezantimin e librit, Elia tha se projekti u realizua në një periudhë që ajo e përshkroi si një “kakofoni” në jetën e saj personale.
Gjatë intervistës ish-princesha u pyet për divorcin me Princ Lekën dhe mënyrën se si e ka përballuar këtë kapitull të vështirë. Elia foli me sinqeritet, duke thënë:
“E gjithë jeta ka sfidat dhe ulje-ngritjet e veta. Nuk është asnjëherë betejë e fituar sepse jeta të rrëzon dhe të ngre. Ajo që është e rëndësishme është që njeriu, sa herë të ngrihet, të mos harrojë të ngrihet si njeri.”
Elia i dha fund martesës së saj me Princ Lekën pas një periudhe të tensionuar dhe përplasjesh që u bënë edhe publike. Megjithatë, aktorja ka gjetur forcën për ta kthyer dhimbjen në frymëzim, duke e kanalizuar energjinë e saj drejt krijimtarisë.
Libri “Perla dhe Dreri i Artë” është një tregim me mesazhe pozitive dhe mësimdhënëse për të vegjëlit, i cili reflekton imagjinatën dhe ndjeshmërinë e autores.