Elia uron 28 Nëntorin me fotografinë e veçantë të Princeshës Geraldinë: Atdheu janë sytë e çiltër të fëmijëve që na bëjnë njerëz më të mirë

Aktorja Elia Zaharia ka zgjedhur një fotografi të veçantë të së bijës, Princeshës Geraldinë, për të uruar 28 Nëntorin. Në këtë ditë të shënuar të Flamurit kombëtar, ajo i dedikon disa rreshta Atdheut dhe uron çdo shqiptar.

Princeshë Geraldina shfaqet e veshur me ngjyrat kombëtare dhe në dorë mban një flamur kuqezi. Nuk dihet nëse fotografia është e sotme apo është shkrepur më herët, pasi pas ndarjes së çiftit mbretëror, nga postimet në rrjetet sociale duket se Geraldina kalon më shumë kohë me të atin.

“Atdheu është dashuri pa kushte, është thirrja më e fuqishme që buron nga shekujt, që na mbush me frymëzim dhe krenari, që na pulson bashkë me gjakun në damarë! Atdheu është frymë, është familje, është histori e gjallë! Atdheu janë sytë e gjyshërve tanë, dashuria dhe sakrificat e tyre, madhështia brenda thjeshtësisë së tyre!

Atdheu janë sytë e çiltër të fëmijëve, buzëqeshja e tyre që na bën njerëz më të mirë e më të ndërgjegjshëm! Atdheu është natyra e bekuar nga Zoti, lulet e brishta të fushave dhe malet e lartë e të mbushur me legjenda. Atdheu ynë është dhimbje, një dhimbje e ëmbël dashurie, nga ato dashuri që nuk harrohen sado larg të shkosh nëpër botë, sado gjuhë të huaja të flasësh!

Atdheu ynë, gjuha jonë më e bukura në botë, që na bën të ndjejmë si vëlla e motër këdo që na sjell tingujt e saj kur jetojmë larg! Atdheu ynë, Gëzuar 28 Nëntorin, ditën kur Flamuri i gjakut dhe shqiponjës u valëvit i lirë në çdo zemër shqiptare! Zoti e bekoftë vendin tonë”, shkruan Elia Zaharia.


Shtuar 28.11.2025 19:10