Në një intervistë për “Top Albania Radio”, bashkëshortja e Mirit, Rabea, ka folur për herë të parë publikisht lidhur me situatat e krijuara në “Big Brother VIP Albania”, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt deklaratave të forta të babait të Selin dhe duke sqaruar raportin e shumëdiskutuar mes banorëve.
Rabea u pyet rreth komenteve të babait të Selin, i cili e kishte cilësuar Mirin si “pervers” pas dinamikave të krijuara në shtëpi.
Ajo mbrojti partnerin e saj, duke theksuar se ajo që po ndodh brenda është thjesht lojë dhe se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi njërin person.
“Më duhet të them unë e kam parë intervistën atë ditë kur doli. Edhe momentin e parë ishte kështu si i shokuar. Nga një anë e kuptoj merakun e babait për një vajzë. Por ky meraku nuk të jep të drejtë të gjykosh një person që ti nuk e njeh, që nuk ka bërë asnjëgjë ilegale, thjesht ka bërë një lojë. Më ka nevrikosur një çik që ka folur kështu. Ti si baba nuk mund t’i japesh gjithë fajin Mirit për atë situatën atje brenda, shiko një çik edhe gocën tënde. Ajo ka marrë disa këshilla nga jashtë, por nuk do ta kuptojë. Duhet të shikosh njëçik vajzën tënde se e ke edukuar ti, jo Miri”, u shpreh ajo.
Lidhur me natyrën e marrëdhënies Miri-Selin, Rabea ishte e prerë, duke e cilësuar atë si strategji të pastër loje pa asnjë ndjenjë reale.
“E shof si marrëdhënie [loje]. Thjesht miqësore që është lindur nga një detyrim pas Prime të parë. E kanë pranuar këtë sfidë dhe pastaj nisi loja e tyre. Nuk ka absolutisht ndjenja mes tyre. Secili përfiton nga kjo situatë. Nëse ka dyshime, ato ushqehen nga Selini dhe jo Miri”.
Gjatë intervistës u prek edhe momenti delikat kur vajza e Mirit, gjatë vizitës në shtëpi, përmendi emrin e Selin si të preferuarën e saj, një detaj që Rabea sqaroi se ishte tërësisht spontan.
“Nuk e kemi diskutuar më përpara se nuk e kisha menduar se ai pyet ashtu por ajo ka dhënë përgjigjen e saj që kishte në zemër. Vajza më tha më mbrapa se donte të thoshte Stelin por edhe Selin. Si vajzë e pafajshme tha atë që kishte në zemër. Vajza ka qarë shumë kur doli”.
Për të mbyllur diskutimin me nota humori, e pyetur se kë do të zgjidhte ajo vetë nëse Miri do t’ia bënte të njëjtën pyetje, Rabea u përgjigj: “Unë do t’i kisha thënë përveç teje më pëlqen Boli (arushi)”.

