Ajo nuk u kthye më në skenë apo ekranin shqiptar që në vitin 1991, kur si shumë të tjerë zgjodhi emigrimin, por në mendjen e shqiptarëve do të mbetet si një nga vajzat më të bukura në filmat shqiptarë.
Me një portret që do t’ia kishin zili koleget e kinemasë botërore, delikate e plot finesë, Shpresa Bërdëllima do të mbetet “koketa” e përjetshme e ekranit shqiptar. Ashtu si largimi 30 vjet të shkuara, erdhi edhe largimi i saj nga kjo jetë.
“Vajzat me kordele të kuqe” apo edhe “Përtej mureve të gurta” të sjellin menjëherë në mednje portretin e saj.
Por aktorja vendosi të largohej nga Shqipëria në moshën 30 vjeçare, në vitin 1991 ku pas vitesh të vështira në emigracion, u vendosën në Belgjikë ku nuk vazhdoi karrierën, por u kujdes për familjen. Për arsyet e largimit ajo ka folur në 2015 në një intervistë:
“Si gjithë populli ynë që vuante nga regjimi totalitar, sensibiliteti i artistëve ka qënë gjithmonë më i larte. Largimi jonë që për një jetë më të mirë, për një liri të plotë, për një demokraci të vërtet. Por Odiseja nuk qe kaq e lehtë për të arritur këtu ku kemi mbërritur.U përballëm me shumë vështirësi, derisa arritëm në një frymëmarrje njerëzore dhe një mirëqenie normale; siç ishin sigurimi i jetës së fëmijëve, shkollimi i tyre me standarde të larta.Bashkshorti im, këtu, u punësua në profesionin e tij, si pedagog në shkollën e lartë të artit të cirkut ku ariti një reputacjon internacjonal. Unë ja kam kushtuar jetën familjes time, dhe kam qënë gjithmonë mbështetje për arritjet e bashkëshortit tim. Një nënë me tre fëmijë, dy të fundit kanë lindur në Belgjikë. Vajza e madhe studion për inxhinieri në universitetin e Leuvenit. Vajza e dytë për ‘public relations’Djali është akoma në shkollën e mesme me drejtimin e Ekonomikut.” është shprehur aktorja.
Kur u pyet se çfarë donte të ishte ndryshe në Shqipëri, Shpresa Bërdëllima u përgjigj:
“Për ato çka ndjejmë nga largë, më të theksuara janë stabiliteti, siguria, punësimi, standardet sociale, sigurimi i shëndetësisë”.
Aktorja Shpresa Bërdëllima u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare, në Belgjikë, ku prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila e rrëmbeu para kohe./albeu.com/