Dua Lipa po bën shumë më tepër sesa të dhurojë performanca mahnitëse gjatë turneut të saj Radical Optimism, ajo po përdor zërin dhe famën për të ndërgjegjësuar publikun mbi shëndetin seksual dhe parandalimin e HIV-it.
Në një ndalesë të veçantë në The Abbey, në zemër të Hollywood-it Perëndimor, këngëtarja britanike festoi Ditën e Parë Kombëtare të PrEP së bashku me organizatën Mistr, e cila ofron qasje falas ose të përballueshme në PrEP – një trajtim parandalues që mbron trupin nga HIV-i.
“Mendoj se seksi duhet të jetë argëtues dhe duhet të jetë i sigurt,” deklaroi Dua Lipa gjatë eventit. “Kënaqësia dhe mbrojtja nuk janë të kundërta, përkundrazi – ato shkojnë dorë për dore.”
Pasi performoi hitet “New Rules” dhe “Don’t Start Now” përkrah trupës së saj të baletit, Lipa u bashkua në skenë me drag queens për një interpretim festiv të “Houdini”, për të shënuar arritjen e Mistr: 10,000 persona që kanë nisur përdorimin e PrEP në SHBA.
Në një intervistë për Rolling Stone, ajo shtoi:
“Ka ende shumë stigmë rreth HIV-it dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Nëse mund ta çstigmatizojmë kujdesin shëndetësor dhe ta bëjmë më të hapur, atëherë ka shpresë që HIV-i të zhduket krejtësisht.”
Lipa theksoi rëndësinë e vetëkujdesit si një akt dashurie ndaj vetes:
“Shpresoj që kujdesi për veten të mos konsiderohet më turp. Mendoj se kjo, në vetvete, është shumë seksi,” tha ajo.
Pjesëmarrja e saj në këtë iniciativë vjen si rezultat i bashkëpunimit me Tristan Schukraft, themelues dhe CEO i Mistr, një figurë kyçe në përpjekjen për të bërë PrEP-in të aksesueshëm për të gjithë, me apo pa sigurim shëndetësor.
“Ishte një kauzë e jashtëzakonshme. Ajo që po bën Mistr është e domosdoshme, sidomos në Amerikë,” përfundoi Lipa. “Jam me fat që më ftuat. Isha e lumtur që ndodhesha në qytet.”