Drake ka shprehur interes për të bërë turne në Evropë vitin e ardhshëm pas serisë së koncerteve të përbashkëta me J. Cole që përfundon në mars.
Gjatë një interviste në “Kick” me Roshtein që u transmetua të hënën (18 dhjetor), reperi kanadez zbuloi planet për të zgjeruar koncertet e tij në anën tjetër të Atlantikut dhe më tej.
“Unë mendoj se do të bëj turne në Evropë”, i tha ai prezantuesit, përpara se ta sqaronte atë me më shumë siguri.
“Oh, ndoshta kjo është një ekskluzivitet — po, oh, unë me siguri do të bëj një turne në Evropë vitin e ardhshëm…ne padyshim kemi një turne që do të fillojë në janar”, tha Drake.
E teksa përmendi shtetet që mezi pret t’i vizitojë, Drake theksoi ndër to edhe Shqipërinë – si një vend që nuk e ka vizituar kurrë, por që dëshiron të shkojë.
“Por dua të udhëtoj në shumë. Nuk kam qenë në shumë vende. Nuk kam qenë kurrë në Itali, kurrë në Tokio, kurrë në Shqipëri”, tha reperi i hitit “Kiki”.
Drake ka treguar një afeksion të madh për Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Kjo pasi në këngën “Polar Opposites” të albumit të tij më të fundit, reperi i njohur përmend kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.
Dhe jo vetëm kaq, në klipin që shoqëron këtë këngë, ai u shfaq i veshur me një xhaketë të kuqe e cila kishte simbolin e shqiponjës së zezë të shtypur mbrapa.
Ende nuk është e qartë arsyeja se pse reperi i hiteve ndërkombëtare ka ndërtuar këtë afeksion ndaj Shqiptarisë.