Fansat e Eurovision Song Contest mund të gëzohen, pasi edicioni i 70-të i festivalit që do të mbahet në Vjenë, do të shënojë rikthimin e tre shteteve të dashura: Bullgarisë, Rumanisë dhe Moldavisë.
Edhe pse jemi ende herët në rrugëtimin drejt ‘Eurovision 2026’, tashmë kemi disa detaje zyrtare: qytetin pritës (Vjena), datat e tre netëve finale (12, 14 dhe 16 maj), vendin e mbajtjes (Wiener Stadthalle) dhe, së fundmi, tre televizioni që kanë konfirmuar se do të rikthehen në garë pas disa viteve mungesë, shkruan Eurovision.tv.
Bullgaria me BNT (pjesëmarrja e fundit: Torino 2022), Rumania me TVR (pjesëmarrja e fundit: Liverpool 2023) dhe Moldavia me TRM (që pushoi vetëm për një vit pas Malmö 2024) do t’i bashkohen edicionit të madh të vitit 2026.
Drejtori i Eurovision Song Contest, Martin Green CBE, u shpreh: “Është fantastike t’i mirëpresim sërish BNT, TVR dhe TRM në Eurovision. Rikthimi i tyre është dëshmi e fuqisë së qëndrueshme të këtij festivali, i forcës së komunitetit tonë dhe i asaj çfarë do të thotë vërtet të jemi të bashkuar përmes muzikës”.
Ndërsa presim edicionin jubilar të majit të vitit të ardhshëm, rikujtojmë momentet më ikonike që këto shtete kanë sjellë ndër vite.
Bullgaria – rikthime të fuqishme dhe hite që mbeten
BNT debutoi në Eurovision në vitin 2005, ndërsa në finalen e madhe u paraqit për herë të parë në Helsinki 2007, ku Elitsa Todorova & Stoyan Yankoulov siguruan një Top 5 mbresëlënës me këngën Water.
Suksesi më i madh bullgar erdhi në Kiev 2017 me Kristian Kostov dhe këngën Beautiful Mess, e cila u rendit e dyta me 615 pikë – një ndër rezultatet më të larta në historinë e festivalit.
Edhe disa prej këngëve që nuk arritën finalen kanë mbetur të dashura për fansat, si Love Unlimited (2012) dhe DJ, Take Me Away (2008). Ndërkohë, Poli Genova, pas një tentimi të dështuar në 2011, u rikthye fuqishëm në 2016 me If Love Was A Crime, duke i dhënë Bullgarisë vendin e katërt.
Rumania – argëtim, energji dhe dy herë vendi i tretë
Rumania u bashkua për herë të parë në Dublin 1994. Pas një rezultati modest, vendi u përmirësua ndjeshëm në vitet në vijim, duke siguruar gjashtë renditje në Top 10.
Dy sukseset më të mëdha janë vendet e treta të arritura në vitin 2005 (Let Me Try) dhe 2010 (Playing With Fire).
Rumania është e njohur për performanca të paharrueshme – nga festa e Balkan Girls (2009), te jodeli i vitit 2017, e deri te hiti plot ritëm Zaleilah (2012). Asnjë festë Eurovisioni nuk duket e plotë pa Tornero (2006) apo Llámame (2022).
Moldavia – kthime të suksesshme dhe një vend i tretë historik
Eurovisioni 2026 do të shënojë pjesëmarrjen e 20-të të Moldavisë.
Debutimi i vendit ndodhi në Kiev 2005, ku Zdob și Zdub siguruan vendin e gjashtë me Boonika Bate Toba. Popullariteti i tyre i madh bëri që grupi të rikthehej edhe dy herë të tjera: më 2011 dhe në vitin 2022 me Trenulețul, që arriti vendin e shtatë.
Moldavia njihet edhe për artistë që rikthehen: Natalia Barbu (2024, 2007), Pasha Parfeni (2023, 2012) dhe Natalia Gordienko (2021, 2006). Ndërsa Sunstroke Project u kthyen pas suksesit viral të Run Away (2010), për të arritur rezultatin më të mirë të vendit deri më sot – vendin e tretë me Hey Mamma në vitin 2017.
TRM ka njoftuar se përzgjedhja kombëtare për Eurovisionin 2026 do të mbahet më 17 janar në Chișinău Arena.
