Arta Bajrami letër të hapur Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, iu drejtohet me kërkesa për formimin e institucioneve dhe fëmijët me nevoja të veçanta

Këngëtarja e njohur shqiptare, Arta Bajrami, ka bërë një reagim të fuqishëm publik përmes një letre të hapur drejtuar Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani, ku ka ngritur shqetësimin e saj si nënë e dy fëmijëve me autizëm dhe si qytetare e vendit.

Në shkrimin e saj të publikuar në Facebook, Bajrami thekson se Kosova ndodhet në një ngërç të rëndë politik pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke kritikuar klasën politike për dështimin në formimin e institucioneve dhe për pasojat që kjo krizë po sjell në jetën e qytetarëve. “Kuvendi ka dështuar mbi 50 herë të zgjedhë një kryetar, Qeveria nuk është formuar, dhe jeta e qytetarëve është lënë peng i pazareve politike”, shkruan ajo, duke e cilësuar situatën si një “kolaps shtetëror”.

Një nga pikat më të theksuara në letrën e saj është mungesa e Ligjit për fëmijët me nevoja të veçanta, i cili, sipas këngëtares, është zvarritur prej vitesh, duke lënë mbi 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara jashtë sistemit arsimor dhe pa mbështetje adekuate. “Çdo ditë vonesë është një dëm i pariparueshëm për zhvillimin e këtyre fëmijëve”, shkruan Bajrami, duke shtuar se është turp për një shtet të kthejë shpinën ndaj më të pambrojturve.

Në letrën e saj, Bajrami ndalet edhe te projekti i humanistit Halil Kastrati, i cili ka nisur ndërtimin e një residence për fëmijët me autizëm, por që sipas saj ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së përkrahjes institucionale.

Në fund, këngëtarja liston tre kërkesa kryesore për institucionet:

Formimin e menjëhershëm të institucioneve dhe daljen nga kriza politike.

Miratimin pa vonesë të ligjit për fëmijët me nevoja të veçanta.

Mbështetjen dhe aprovimin e projektit të Halil Kastratit.

“Unë nuk po ju lutem, po ju kërkoj me të drejtën që ma jep statusi i qytetares, i nënës dhe i një figure publike që përfaqëson shumë familje të ngjashme me timen”, përfundon Bajrami, duke paralajmëruar se historia do t’i gjykojë udhëheqësit që braktisin fëmijët më të brishtë të vendit


Shtuar 21.08.2025 17:51