Pas disa muajsh spekulimesh të shumta se kush do të zëvendësojë kryeredaktoren e revistës më të madhe të modës Vogue, Anna Wintour, tashmë kjo e fundit e ka një emër për të gjithë kuriozët.
Ajo ka emëruar një redaktore të re kryesore të revistës,megjithëse pozicioni nuk është i njëjtë me atë që ka mbajtur prej 40 vitesh kryeredaktorja.
Chloe Malle, e cila aktualisht shërben si redaktore e Vogue.com, do të marrë detyrën si drejtuese e përmbajtjes editoriale për Vogue US, sipas njoftimit të revistës prestigjoze të bërë paraditen e sotme.
Chloe nuk është e panjohur për publikun pasi ajo u bë zëri i revistës në vitin 2022 duke bashkë-prezantuar podkastin e vetëm aktual të revistës, “The Run-Through With Vogue”, së bashku me Chioma Nnadi, drejtuese e përmbajtjes editoriale për British Vogue.
Edhe pse Wintour është larguar nga posti i kryeredaktores së revistës, ajo do të mbetet drejtoreshë editoriale globale e Vogue, si dhe drejtoreshë globale e përmbajtjes së Condé Nast. Chloe Malle do të marrë përsipër operacionet e përditshme të Vogue në të gjithë formatin e shtypur dhe dixhital, por do të raportojë drejtpërdrejt te Wintour.