Aktori dhe ish-banori i “Big Brother VIP Albania”, Laert Vasili, është rikthyer sërish në vëmendjen e publikut, këtë herë si pjesë e panelit të opinionistëve në emisionin “Për’puthen”. Që në paraqitjet e para, ai ka tërhequr vëmendje për mënyrën e drejtpërdrejtë të të shprehurit dhe për debatet që ka ndezur në studio.
Në një prej episodeve të fundit, diskutimi mes konkurrentëve për lidhjet që krijohen dhe shuhen me shpejtësi u kthye në pikënisje për një debat të fortë mbi martesën. Vasili theksoi se martesa nuk është një hap që duhet ndërmarrë nga impulsiviteti apo si pjesë e një mode, por një vendim që kërkon përgjegjësi dhe pjekuri.
Qëndrimi i tij ngjalli reagime të ndryshme në panel: disa e përkrahën duke theksuar se sot shumë marrëdhënie lindin pa themel të fortë emocional, ndërsa të tjerë argumentuan se qëndrimi në një martesë “vetëm sepse duhet” mund të jetë po aq i dëmshëm për partnerët.
Pavarësisht debateve, ajo që spikati ishte mënyra e prerë dhe e vendosur me të cilën Vasili mbrojti rëndësinë dhe seriozitetin e martesës, duke theksuar se ndjenjat nuk duhen trajtuar si çështje momentesh kalimtare.
“Nëse burri është burrë, martesa nuk është të luash. Nuk martohesh sot për t’u penduar nesër. Nuk më pëlqen ideja ‘po martohem, pastaj shohim’. Ku shkojmë kështu? Të lësh fëmijët, të gjesh një tjetër rrugëve… këto janë marrëzi. Martesa është e shenjtë dhe kërkon përgjegjësi.
Kur zgjedh partnerin e jetës, duhet ta dish pse. Duhet ta shohësh të ardhmen, jo vetëm të tashmen. Martesa nuk mbahet me dëshira të ditës. Mbahet me punë, përkushtim dhe respekt.”-u shpreh Vasili.
