Adelina Ismaili reagon ashpër: Kush do ta besonte që do të arrijnë në pikën ku do ta fyejnë Jusuf Gërvallën?

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Adelina Ismaili, ka reaguar ashpër përmes një statusi në rrjetin social Facebook, duke shprehur indinjatën e saj lidhur me debatet e fundit politike në Kosovë.

“Kush do ta besonte që do të arrijnë në pikën ku do ta fyejnë Jusuf Gërvallën? Definitivisht duan t’i përmbysin vlerat”, shkroi artistja, duke kujtuar figurën e veprimtarit dhe patriotit të madh, i cili u flijua për çështjen kombëtare.

Reagimi i Ismailit vjen në një kohë kur vajza e të ndjerit Jusuf Gërvalla, Donika Gërvalla-Schwarz, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme në detyrë, është përfshirë në një debat të ashpër publik. Një ditë më parë, ajo nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur Kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Situata u bë edhe më e ndjeshme pasi bashkëpartiakja e saj, Shqipe Mehmeti Selimi, refuzoi ta votonte, duke u bazuar në disa deklarata të Gërvallës të bëra në vitin 2020 për bashkëshortin e saj, Rexhep Selimin.

Përmes reagimit të saj, Adelina Ismaili i është bashkuar atyre zërave që e shohin këtë zhvillim si cenim të trashëgimisë dhe vlerave që përfaqëson emri i Jusuf Gërvallës.


Shtuar 21.08.2025 23:31