11 vite nga vdekja e ish-gruas së Alban Hoxhës pas lindjes së djalit, Prokuroria kërkon burg për mjekët

Prokuroria e Apelit ka shpallur pretencën për dy mjekët, Petrit Rexhepi dhe Elona Burba, të cilët akuzohen për vdekjen e Doriana Hakës, nënën e djalit të ish-portierit të Partizanit, Alban Hoxha.

Këtë të martë togat e zeza kanë kërkuar 9 muaj burg për gjinekologun Rexhepi, por për shkak të moshës mbi 70 vjeç, të pezullohet dënimi dhe të vendoset në shërbim prove për 18 muaj.

Gjithashtu, kërkoi të pezullohet licenca e tij për 5 vite, duke mos ushtruar profesionin e mjekut. Prokuroria kërkoi 1 vit burg për reanimatoren Elona Burba, si dhe pezullim licence për 5 vite.

Në 10 nëntor pritet seanca e radhës, ku mjekët do të paraqesin argumentet e tyre të mbrojtjes.

Dhimbja për humbjen e Doriana Hakës, ish-bashkëshortes së portierit të njohur të Partizanit, Alban Hoxha, vazhdon edhe pas më shumë se një dekade. Doriana, asokohe, vetëm 25 vjeçe, ndërroi jetë pak ditë pas lindjes së djalit të saj në dhjetor të vitit 2014, në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.

Sipas familjarëve, Doriana ishte shtruar për lindje cezariane dhe fillimisht gjithçka kishte shkuar mirë. Djali erdhi në jetë shëndoshë e mirë, por pak orë më vonë gjendja e nënës u përkeqësua ndjeshëm. Ajo u transferua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku pas disa ditësh ndërroi jetë. Ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi se shkak i vdekjes ishte tromboza e sinuseve kavernoze të trurit.

Familja e të ndjerës pretendon se vdekja e saj erdhi si pasojë e neglizhencës së mjekëve dhe mungesës së kujdesit pas lindjes. Ata akuzojnë stafin mjekësor për moskryerjen e analizave dhe trajtimeve të nevojshme në kohë. Pas një hetimi disa vjeçar, gjykata dënoi dy mjekë të maternitetit me gjobë prej 400 mijë lekësh për “mjekim të pakujdesshëm”, vendim që familjarët e konsideruan të padrejtë dhe të pamjaftueshëm.

Prej atëherë, familja Haka vijon betejën ligjore në gjykatat shqiptare, duke kërkuar drejtësi për vajzën e tyre. Në seancat e fundit, nëna e Dorianës është shprehur me lot në sy se “kanë kaluar 11 vite dhe ende askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për jetën e vajzës sime”.

“Kemi 11 vite rresht që presim drejtësi pati një ballafaqim mes ekspertëve pyetje përgjigje, zgjati pak gjatë dhe u revoltova dhe fola në seancë të gjyqit, shpresoj që gjyqtarët ta marrin parasysh, më djeg shpirti, më dhemb zemra.

Shpresoj tek një drejtësi e vonuar por jo e harruar. Dori im do drejtësi, një fëmijë që rritet pa nënë do drejtësi, ju lutem gjyqtar më shikoni, kam të drejtë prandaj kam kërkuar të merrem me gjykatat jo gjë tjetër, thjesht dua drejtësi, drejtësi pa fund”, tha Hamide Haka.


Shtuar 28.10.2025 21:11