Një ditë pasi djali i tij u shfaq në listën e prokurorëve të ardhshëm dhe ngjalli reagime në opinionin publik për ndikim të mundshëm politik si dhe nepotizëm, Talat Xhaferi sot arsyetoi djalin e tij, Barlet Xhaferin, me atë se edhe ai, ka të drejtë punësimi si gjithë tjerët.
“Sa i përket çështjes së djalit që përmendet, s’do mend që unë si kryetar parlamenti dhe si bartës funksioni publik jam i vetëdijshëm se sensacioni është shumë më i lartë kur bëhet fjalë për anëtarë të familjeve të bartësve të funksioneve, konkretisht siç është tani”, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i parlamentit të RMV-së.
Antikorrupsioni nuk ka rritur t’i gjejë veprime të kundërligjshme Barlet Xhaferit për shkak të “zhdukjes” së dokumenteve të rëndësishme në ministrinë e Drejtësisë të cilat potencialisht do të dëshmonin atë. Ata megjithatë, vazhdojnë hetimet për mënyrën e dhënies së certifikatave të diplomimit qindra studentëve, në mesin e të cilëve edhe djali i kryeparlamentarit.
Megjithatë nga VMRO DPMNE-ja ngritën dyshime që djalit të kryeparlamentarit Talat Xhaferit, Barlet Xhaferit, i është dhënë provimi i jurisprudencës vetëm për shkak të babait të tij, sipas tyre, ai përveç që nuk duhet lejuar të bëhet prokurorë, duhet të ndiqet penalisht. Reaguan edhe nga Lëvizja BESA.
“Pushteti gjyqësor vazhdon të ngelet i kapur nga partitë politike në pushtet LSDM dhe BDI. Lista e gjyqtarëve dhe prokurorëve, e publikuar nga akademia për gjyqtar dhe prokurorë publik dëshmon qartë për misionin dhe vizionin politik të BDI-së. Gjatë gjithë kohës flasim për reforma në drejtësi, veting dhe gjyqësor të pavarur të cilat assesi të ndodhin, ndërkaq brenga e tyre e vetme është rehatimi i familjarëve të tyre në pozita të rëndësishme në organet e drejtësisë”, deklaroi Fatmir Sabriu, Lëvizja BESA.
Përveç tij, në listë ishte edhe dhëndri i anëtarit të Këshillit të Prokurorëve Publik, Ixhet Memetit, Ilir Jakupi ndërkaq ALSAT mëson se e bija e Memetit, Leonora Memeti Jakupi, aktualisht ndjek ligjëratat në akademi ndërsa në të ardhmen, Ixhet Memeti do të duhet të votojë si dhe të vlerësoje punën e tyre në Këshillin e Prokurorëve Publik. Rikujtojmë që besueshmëria në gjyqësorin e vendit është 4%. /Alsat.mk