Bardhësia e borës ka mbuluar Shkupin dhe qytetet tjera të vendit. Kudo shihen fëmijë të buzëqeshur që i gëzohen borës.
Pamje të tilla shohim nëpër lagje dhe në pjesët kodrinore të qytetit. Qytetarët për TV SHENJA thonë se bora ka pastruar ajrin dhe mendojnë që është shumë e mirë për shëndetin.
Ata kujtojnë se në të kaluarën në këso periudhe kohore shtresa e borës arrinte deri në 2 metra.
Qytetarët thonë se tash, si pasojë e ndryshimeve klimatike bora është shumë pak e pranishme.
Ja reagimet e qytetareve:
“Pastrim i ajrit është ky, mirë është. Largon sëmndjet dhe gripet. Duhet edhe më shumë borë të ketë, më mire do të jetë, është pak ftohtë por dimri është dimër. Në të kaluarën kishte më shumë borë, në këso kohra bora mund të bëhej 1 metër e gjysë- 2, por tani borë të tillë nuk ka”.
“Bora për shëndetin është shumë mirë, fëmijët kanë dëshirë të dalin nëpër borë, të shëtisin, të marrin pak ajër të pastërt”.
“Bora deri diku ka pastruar ajrin dhe sot ndjehet ajër më i pastër, këso kohra ka pasur shumë borë në të kaluarën por me ndryshimet klimatike tani më nuk kemi dhe për këtë arsyje ajri është shumë më i ndotur”.
Ndërkaq, sipas Entit Hidrometeorologjik, gjatë ditës së sotme dhe nesër priten reshje të dendura bore dhe temperatura të ulëta, të përcjella me erë nga ana veriore. /tvshenja