Fillim të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në muajin e ardhshëm, ndërsa në këtë mënyrë edhe njohje të përpjekjeve të vazhdueshme të dy vendeve në rrugën e integrimeve evropiane, kërkoi dje ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili përmendi se kjo do të jetë një përpjekje e përbashkët për krijimin e një Evropë më të fortë dhe më të sigurt, rezistente ndaj çdo ndikimi të palëve të treta.
Nisjen e menjëhershme të negociatave me të dy vendet kërkoi edhe ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, i cili dje nga Shkupi dërgoi mesazh se Greqia po punon shumë për të siguruar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe se beson se e vetmja mënyrë për t’i arritur ato synime është një mbështetje e qartë dhe e plotë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“Kërkojmë hapje urgjente të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE dhe bëjmë thirrje për ndërmarrje të të gjitha përpjekjeve për avancim në status të kandidates për anëtarësim në BE të Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës dhe mbështesim përparimin në negociata të Malit të Zi dhe Serbisë dhe dëshirojmë dhe punojmë për krijim të raportit të qëndrueshëm dhe të përmbushur me përmbajtje me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, deklaroi dje Osmani në fjalimin në hapjen e panel diskutimi “Rruga drejt Brukselit”.
Osmani, i cili dje në Shkup pati takim edhe me ministrin grek të Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, theksoi se proceset e ngecura integruese për Maqedoninë e Veriut janë burim i cenueshmërisë sistematike, efektet e së cilës përhapen në të gjithë rajonin.
“Besoj se tani është koha ideale, të njihen përpjekjet konzistente të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe të hasen me pranim nga ana e BE-së, si angazhim i përbashkët për Evropë më të sigurt dhe më të fuqishme, rezistente t’i kundërvihet çfarëdo lloj ndikimi të tretë”, deklaroi Osmani.
“Sinqerisht besojmë, se këto janë kohëra historike të cilat imponojnë vendime të fuqishme dhe me kohë. Është imperativ të fillohet me procesin inkuadrues tashmë të shumëvonuar të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë tani në qershor, gjatë kryesimit francez me BE-në. Kur, nëse jo tani, theksoi Osmani.
Ai iu referua edhe idesë së presidentit francez Emanuel Makron, duke theksuar se është ende një iniciativë në fillimet e saj dhe nuk ka asnjë dokument të shkruar që shpjegon detajet, por nga bisedimet me të gjithë përfaqësuesit e vendeve që mbrojnë idenë është se ajo nuk është alternativë.
“Ajo që thonë të gjithë aktorët e përfshirë në zhvillimin e kësaj ideje është se ajo nuk është alternativë ndaj procesit të anëtarësimit në të cilin kanë hyrë vendet e Ballkanit Perëndimor në 20 vitet e fundit, por është një nismë e re për konvergjencën politike në kontinentin e BE-së, pa ndikuar dhe duke mos qenë zëvendësim i asaj që kemi këtu”, deklaroi Osmani.
Lidhur me negociatat me Sofjen, ai tha se vazhdojnë në mënyrë konstruktive në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme reciproke, por theksoi se deri më tani nuk ka asgjë të re.
“Dy kryeministrat na inkurajuan që të vazhdojmë bisedimet dhe në bazë të atij mandati do të vazhdojmë, por deri më tani nuk ka asgjë të re dhe të ndryshme nga ajo që kemi diskutuar deri më tani. Sapo të kemi, do t’ju informojmë, tha Osmani. Ai përkujtoi se Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov janë takuar para tri ditësh në Romë dhe kanë dërguar mesazh për vazhdimin e dialogut për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciproke.
“Nuk mund të komentoj për dinamikën e brendshme në Bullgari. Ajo që është e rëndësishme për ne është që këtu të kemi një qëndrim për ato çështje, të cilat tani vazhdojmë t’i komunikojmë dhe shpresoj se do të japë fryte”, tha Osmani.
Ministri grek Dendias, nga ana e tij, dje në Shkup tha se vendi i tij jep mbështetje për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe se vizita e tij në Shkup është që tregojë se janë “së bashku me ne në rrugën drejt Evropës”.
“Mendojmë se jemi aleat i juaji i afërt, do të japim mbështetje përkatëse që të avancohen marrëdhëniet midis vendeve tuaja në nivel bilateral dhe kjo tregohet edhe nga Plani i veprimit i cili është miratuar në Këshillin e parë më të lartë për bashkëpunim”, tha Dencias, duke përkujtuar se Greqia është e orientuar ndaj zbatimit të besueshëm dhe të drejtë të Marrëveshjes së Prespës.
Osmani, nga ana tjetër, në konferencën e përbashkët me Dendias, tha se fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është mënyra më e mirë për të rikthyer besueshmërinë evropiane në rajon dhe se në këtë drejtim është i kënaqur që kemi mbështetjen e plotë të Greqisë.
Kryeministri bullgar Petkov i kërkoi presidentit Rumen Radev që të mbledhë Këshillin Konsultativ të Sigurisë Kombëtare për mosmarrëveshjen me Maqedoninë e Veriut, por Radev u përgjigj se për ta bërë këtë, fillimisht dëshironte të dëgjonte qëndrimin e tij për Maqedoninë e Veriut.
@Këshilli Konsultativ i Sigurisë Kombëtare është një organ për të ndihmuar në dialog dhe për të kërkuar një zgjidhje të përbashkët për çështje të rëndësishme kombëtare. Lidhur me Republikën e Maqedonisë së Veriut, jo vetëm që ka një konsensus të gjerë, por ai është shprehur fuqishëm. Autoritetet duhet ta kenë të qartë këtë. “Nëse dialogu në vetë koalicionin qeverisës prishet, ai duhet të thuhet qartë dhe të tregohen arsyet për këtë,” tha Radev më parë këtë javë.
Për mungesën e një qëndrimi të qartë kombëtar në Bullgari foli dje edhe eurodeputeti dhe raportuesi bullgar i PE-së për vendin, Ilhan Kuçuk.
“Bullgaria nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, të paktën të përpiqet të shmangë një bisedë të sinqertë dhe të hapur me Maqedoninë e Veriut – si për të kaluarën ashtu edhe për të ardhmen. Por është e qartë se nga pikëpamja kombëtare nuk kemi një qëndrim të shprehur qartë në nivel qeverisjeje. Nëse kjo qeveri duhet të kritikohet me argument, është pamundësia për të arritur një konsensus për çështjet kyçe. Njëra prej tyre është Maqedonia e Veriut, tjetra është qëndrimi ndaj Ukrainës, komenton Kuçuk.
Eurodeputeti shtoi se është e palogjikshme dhe e vështirë të shpjegohet teza se do ta lëmë Shqipërinë, ndërsa për Maqedoninë e Veriut do ta shikojmë çështjen nga një këndvështrim historik.
– Kjo tezë është shumë e vështirë për t’u shpjeguar. Evropa e ka të vështirë të kuptojë bisedat e ngatërruara historike, sepse duhet të hapë kutinë e Pandorës për historinë e saj dhe nuk dëshiron ta bëjë këtë. Por Evropa i kupton shumë mirë të drejtat dhe liritë e njeriut. Prandaj është e drejtë që bullgarët në Maqedoninë e Veriut të jenë pjesë integrale e Kushtetutës së Maqedonisë, tha Kuçuk për BNR.
Ai thotë se ka presion të shtuar dhe legjitim nga institucionet evropiane për zgjidhjen e çështjes me Maqedoninë e Veriut dhe se zgjerimi është prioritet kyç i këtij Komisioni Evropian./zhurnal