Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së përfundon vizitën në SHBA me takime në Uashington DC

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviç, përmbylli vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një sërë takimesh në kryeqytetin amerikan, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe partneritetit transatlantik për stabilitetin dhe zhvillimin e Evropës Juglindore.

Gjatë një tryeze të rrumbullakët të organizuar nga Këshilli Atlantik në Uashington DC, Kapetanoviç mbajti një fjalim mbi perspektivat e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore, duke vënë theksin tek nevoja për konvergjencë më të shpejtë dhe forcim të qëndrueshmërisë rajonale. Ai nënvizoi rolin kyç të RCC-së si platformë rajonale në zbatimin e nismave strategjike si Tregu i Përbashkët Rajonal, Axhenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Strategjia SEE2030.

Në diskutimet me ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë të pranishëm, Kapetanoviç vuri në dukje rezultatet konkrete të Tregut të Përbashkët Rajonal, përfshirë heqjen e tarifave të roaming-ut dhe njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale. Sipas tij, këto arritje janë thelbësore për të ruajtur momentumin publik në procesin e integrimit evropian.

“Rajoni ynë nuk është në periferi të Evropës, por pjesë integrale e stabilitetit dhe prosperitetit të saj. Duke punuar së bashku, si në nivel rajonal ashtu edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, mund ta kthejmë këtë vizion në përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset,” deklaroi Kapetanoviç.

Gjatë qëndrimit në Uashington, Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së zhvilloi gjithashtu një takim me Ambasadoren e Bashkimit Evropian në SHBA, Jovita Neliupšienė, ku diskutuan mbi forcimin e koordinimit BE–SHBA në mbështetje të agjendës së zhvillimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Kjo vizitë vjen pas një jave intensive takimesh në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku Kapetanoviç mori pjesë në takimin vjetor të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PSBE) dhe nënshkroi një Letër Synimi me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për thellimin e bashkëpunimit në projekte rajonale.


Shtuar 27.09.2025 19:57