Categories: maqedoni

Raporti i KE-së për Maqedoninë e Veriut: korrupsioni mbetet i përhapur, ndërsa ndryshimet kushtetuese nuk kanë avancuar

Maqedonia e Veriut nuk ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit, i cili vazhdon të jetë i përhapur dhe përbën arsye serioze për shqetësim. Po ashtu, nuk ka pasur lëvizje përpara në ndryshimet kushtetuese të domosdoshme për vijimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Këto janë ndër vlerësimet kryesore të raportit të fundit të progresit të Komisionit Evropian për vendin.

Të lidhura

None found

Në kapitullin për integrimin evropian, raporti vëren se autoritetet kanë vijuar përgatitjen e dokumenteve që nevojiten për plotësimin e kritereve të hapjes së Kapitullit 1, “Bazat e Procesit të Anëtarësimit”. Megjithatë, nuk është bërë përparim në miratimin e ndryshimeve kushtetuese të përcaktuara në përfundimet e Këshillit të BE-së të vitit 2022. Si rrjedhojë, kushti kryesor për të vazhduar procesin e anëtarësimit ende nuk është përmbushur.

Komisioni Evropian rithekson se të gjitha palët duhet t’i zbatojnë me mirëbesim marrëveshjet dypalëshe ekzistuese me shtetet fqinje. Raporti përmend në veçanti Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë, si dhe vë në dukje se disa zyrtarë refuzojnë ta përdorin emrin kushtetues të vendit.

Në vlerësimin për luftën kundër korrupsionit, vendi renditet mes nivelit të caktuar dhe atij të moderuar të përgatitjes, por nuk raportohet për përparim në parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni. “Korrupsioni mbetet i përhapur dhe është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet në dokument.

Raporti ndalet edhe te ndryshimet e Kodit Penal të janarit 2026, që lidhen me veprat penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe shoqërimit kriminal. Sipas Komisionit Evropian, këto ndryshime nuk i trajtojnë mjaftueshëm pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023 dhe, në vend të kësaj, shtojnë pasigurinë ligjore.

Kritika ka edhe për institucionet që kanë përgjegjësi në parandalimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit duhet të bëhet më proaktiv në zbulimin e rasteve të mundshme të parregullsive. Shqetësim paraqesin gjithashtu vonesat në trajtimin e korrupsionit të nivelit të lartë, pasi këto raste shpesh përfundojnë me parashkrim.

“Kjo kontribuon në perceptimin e pandëshkueshmërisë”, nënvizon raporti.

Për drejtësinë dhe të drejtat themelore, Maqedonia e Veriut ka gatishmëri të moderuar për zbatimin e legjislacionit dhe standardeve evropiane, ndërsa përparimi i përgjithshëm në këtë fushë përshkruhet si i kufizuar. Si zhvillim pozitiv përmendet hartimi i Udhërrëfyesit për Sundimin e Ligjit, i cili përcakton detyrimet e viteve të ardhshme për përafrimin me ligjin e BE-së dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Në reformën e administratës publike, vendi vlerësohet se ka një nivel mesatar përgatitjeje. Raporti evidenton zgjerimin e shërbimeve elektronike dhe përmirësimin e sistemit elektronik për menaxhimin e dokumenteve.

Komisioni Evropian konstaton se koalicioni qeverisës vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe se ka pasur përparim në reformat e qeverisjes vendore, ndonëse ende nuk është miratuar legjislacioni kyç.

Një vlerësim pozitiv lidhet me përafrimin e plotë të Maqedonisë së Veriut me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, edhe për qëndrimin ndaj agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Sipas Komisionit, ky qëndrim shpreh qartë angazhimin strategjik të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe dëshmon se ai është partner i besueshëm.

Maqedonia e Veriut ka vijuar të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Në prill të këtij viti u zhvillua mbledhja e Komitetit të Stabilizim-Asociimit, e para që prej vitit 2021.

Dokumenti vëren se vendi merr pjesë aktivisht në Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe ka përparuar në disa fusha të veçanta të reformave, por vazhdon të ketë dobësi të rënda në sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit.

Ndërkohë, moszgjidhja e çështjes së ndryshimeve kushtetuese mbetet pengesë e menjëhershme për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

të fundit

Milano, 51-vjeçari denoncon 20 muaj dhunë nga bashkëshortja; rreth 30 mijë video mund të zbardhin ngjarjen

Një histori tronditëse dhune në familje po hetohet nga Prokuroria e Milanos, ku një menaxher 51-vjeçar pretendon se është rrahur,…

5 minutes ago

Tre gjigantët spanjollë ndjekin Fernandezin, City kërkon 120 milionë euro

Real Madridi, Barcelona dhe Atletico Madridi po e monitorojnë situatën e mesfushorit argjentinas, i cili mund të jetë një nga…

5 minutes ago

Terras: Ngërçi politik i la Kosovës një vit e gjysmë pa reforma dhe përparim

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka prezantuar pikëpamjet e tij mbi situatën politike dhe diplomatike në Kosovë.…

8 minutes ago

Anulohet dënimi me 13 vjet burg për Muhamet Alidemajn, çështja rikthehet për rigjykim

Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special,  ka aprovuar ankesat e të akuzuarit Muhamet Alidemaj dhe mbrojtësit të tij,…

8 minutes ago

Ndihmoi me informacione sekrete Ergys Agasin, Apeli i GJKKO lë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni

Gjykata ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Vlora Hysenin, ish-kreun e SHISH. Kështu,…

11 minutes ago

Zeneli përfshihet në listën e Suedisë për ndeshjet e Ligës së Kombeve

Selektori i Kombëtares së Suedisë, Graham Potter të mërkurën ka bërë publike listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e…

16 minutes ago