Vetëm përmes respektimit të të drejtave të njeriut dhe parimeve të fqinjësisë së mirë Republika e Maqedonisë së Veriut mund të përparojë në procesin e integrimeve evropiane. Kështu deklaroi presidenti bullgar Rumen Radev në takimin me komisionerin evropian për zgjerim, Oliver Varhelyi, transmetojnë mediat bullgare.
Në fillim të takimit, Radev theksoi se Bullgaria vlerëson lartë punën aktive dhe qasjen racionale të Komisionit Evropian dhe personalisht të komisionerit për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili është veçanërisht i rëndësishëm për garantimin e stabilitetit dhe sigurinë e Evropës.
Radev kujtoi se pikërisht si rezultat i takimeve të tij të frytshme me komisionerin Varhelyi dhe punës së përbashkët aktive, u zhvillua korniza negociuese, e cila i hap rrugën Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian dhe në të njëjtën kohë garanton mbrojtjen e të drejtave të bullgarëve në RMV dhe trashëgimia kulturore-historike bullgare.
Presidenti bullgar, siç raportojnë mediat bullgare, shprehu shqetësimin për mungesën e progresit në çështjen më të rëndësishme, e cila është edhe kusht i detyrueshëm për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE – ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve si pjesë përbërëse e saj.
“Ne jemi dëshmitarë të rritjes së diskriminimit sistematik, arbitraritetit policor, administrativ dhe gjyqësor ndaj shoqatave bullgare, rritje të krimeve të urrejtjes ndaj bullgarëve dhe njerëzve me identitet bullgar në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksoi Rumen Radev.