Protestë në Tetovë, kërkohet rigjykim për djegien e spitalit me 14 pacientë brenda

“Venko Filipçe, Koço Angjushev, Lubomir Joveski, të jenë në stolin e të pandehurve, pasi këta janë fajtorët e vërtetë”.  Këto akuza u hodhën nga protestuesit e Tetovës, në protestën që u mbajtë për 14 viktimat në Spitalin Modular, e pas disa të vërtetave që u shfaqën në dokumentarin hulumtues të IRL-së. Në protestën e organizuar nga iniciativa “Më mirë për Tetovën”, kërkesa kryesore e tyre ishte që të ketë rigjykim të rastit, ku siç thanë, të gjykohen dhe dënohen vrasësit e vërtetë.

Arianit Xhaferi, aktivist qytetar

“Këta fajtorë sipas gjitha gjasave që u përmend në atë hulumtim gazetarsk janë ish ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili ka qenë në krye të këtij projekti për ndërtimin e spitaleve modulare dhe nuk kanë paraparë mjete mbrojëse kundër zjarrit në objektet modulare, pastaj ish zëvendës kryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev dhe njëherit pronari i kompanisë BRAKO…kryeprokurori Lubomir Joveski të shkarkohet dhe të gjindet para trupit gjykues”.

Ky rast sipas Elmedina Abdullahit nga iniciativa “Më mirë për Tetovën”, vërtetoi se prokuroria dhe gjyqësori janë pjesë e krimit të organizuar që e mbajnë peng shtetin.

Elmedina Abdullahi, “ Më mirë për Tetovën” 

“Për 5 vite kemi 4 tragjedi, 97 viktima dhe 0 ditë burg. Prandaj, edhe besimi në sistemin e drejtësisë për ne është 0. Jeta e qytetarëve është bërë peng i pazareve dhe tenderave pa kritere. U pa dhe u dëshmua që korrupsioni vret”.

Qytetarët e dëshpëruar nga gjyqësori e prokuroria,  kërkojnë dorëheqje urgjente të prokurorit Joveski dhe prokurorëve tjerë të involvuar.

Qytetar:

“Faktet na treguan se ajo që dyshuam ishte e vërtetë, pasi prokuroria i mbron personat e politikës, ne kërkojmë dorëheqje urgjente të kryprokurorit Joveski dhe të gjithë prokurorëve  tjerë të cilët kanë qenë të involvuar në këtë rast”.

Qytetar:

“14 njerëz të dejgur dhe asnjë person të mos përgjigjet. Kjo është katastrofë. Nëse ka katastrofë më të madhe, atëherë na tregoni që të mund ta durojmë dhe ta gëlltitim edhe këtë”.

Që nga publikimi i dokumentarit nga Gazetarët e IRL-së, për djegjene  spitalit modular, në opinion kanë shpërthyer reagime të shumta e të rrepta./ina