Përplasje mes VMRO-së dhe LSDM-së për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut

VMRO-DPMNE propozon të heqim dorë nga e ardhmja evropiane, akuzuan socialdemokratët, duke shtuar se pritja deri në anëtarësimin në Union është çmim shumë i lartë. Sipas LSDM-së, në zgjedhjet e ardhshme zgjedhja do të jetë ndërmjet integrimit dhe izolimit të vendit.

“Rruga e vërtetë për shtetin dhe qytetarët është e ardhmja evropiane. Kjo rrugë nuk është e lehtë, por është reale dhe jep shpresë për ndryshime thelbësore. E vetmja mënyrë reale për të ndryshuar vendin tonë për mirë varet nga reformat e vazhdueshme që çojnë në anëtarësimin në BE”, thonë nga LSDM-ja.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i është përgjigjur dilemës së ngritur nga partia në pushtet. Sipas tij, është gënjeshtër dhe theksoi se me pranimin e propozimit francez nga qeveria, është hapur mundësia e kushtëzimeve të reja, të cilat do ta bëjnë të pamundur rrugën drejt BE-së.

“Qytetarët duhet ta dinë qartë. Këto zgjedhje janë për vendim në të cilin në njërën anë do të votojnë grupi i Ali Ahmetit, Artan Grubit, Bujar Osmanit, Zeçeviqit, Mariçiqit, Pendarovskit dhe Kovaçevskit, kurse në anën tjetër është VMRO-DPMNE dhe koalicioni. Çdo opsion i tretë ose qëndrimi në shtëpi është votë e drejtpërdrejtë për grupin e parë”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Lidhur me integrimet evropiane, Mickoski tha se Qeveria e ardhshme do të jetë e gatshme të ulet dhe të bisedojë me Brukselin, Sofjen dhe të gjithë të interesuarit, por në bazë të kritereve evropiane të Kopenhagës dhe të drejtave të njeriut. Sipas tij, duhet një zgjidhje e përhershme.

“Ne si qytetarë të Republikës së Maqedonisë duhet të dimë se çfarë realisht planifikon Evropa me Maqedoninë dhe jo të kërkojmë justifikime. Evropa më në fund duhet t’i tregojë këtij kombi se çfarë planifikon realisht me këtë komb dhe të mos jetë subjekt i politikës dhe politikës ditore. Ne jemi për vlera reale evropiane”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Duke folur për listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme, Mickoski përsëriti se do të jetë bartës në njësinë e parë zgjedhore, në të dytën do të jetë nënkryetari i partisë Vllado Misajllovski, në të tretën deputeti Dragan Kovaçki, në të katërtën do të jetë Aleksandar Nikollovski, ndërsa në të gjashtën deputetja Dafina Stojanovska. Partia ende nuk ka vendosur kandidat për njësinë e pestë zgjedhore. /Alsat.mk