V”MRO-DPMNE nuk zgjedh asnjë mjet apo mënyrë për të larguar vëmendjen e publikut nga skandalet e mëdha korruptive dhe turbullirat në partinë e tyre. Kjo vetëm konfirmon se ajo që kemi parë në opinion gjatë javës së kaluar është e vërtetë dhe VMRO-DPMNE është në krizë të madhe, kështu kryeministri Dimitar Kovaçevski i është përgjigjur fillimisht akuzave të VMRO-DPMNE-së mbi raportin mjekësor ku supozohet se kryeministri është i paaftë.
Kovaçevski thotë se opozita po e keqpërdor një intervenim kirurgjik që ai ka pasur para 20 viteve, ndërsa thekson se asnjëherë nuk i ka ikur detyrimit për shërbim ushtarak.
“Por, unë si kryetar i LSDM-së, asnjëherë nuk do të lejoj që debati politik të bjerë aq poshtë sa dëshiron VMRO-DPMNE dhe në mënyrë të kulturuar do t’i përgjigjem gënjeshtrave dhe fyerjeve. Asnjëherë nuk jam larguar apo nuk kam ikur nga përgjegjësia e shërbimit ushtarak. Vetëm njerëz të pandershëm dhe të frikësuar abuzojnë me sfidën shëndetësore të dikujt dhe ndërhyrjen kirurgjike të 20 viteve më parë për të mbuluar turpin dhe krimin e tyre. Por unë nuk jam i befasuar. Nuk habitem për të gjitha gënjeshtrat e tjera, shpifjet, lajmet e rreme dhe manipulimet nga VMRO-DPMNE. Ato nuk ndryshojnë, dhe skandalet në Qytetin e Shkupit vetëm konfirmojnë se partia jo vetëm që nuk po reformohet, por edhe po kriminalizohet. Qytetarët shohin dhe do të gjykojnë vetë”, thotë kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.