Një person është plagosur pasditen e 7 tetorit në një rrugë prapa ndërtesës së Komunës së Kumanovës, pasi u qëllua me armë zjarri nga një makinë që ishte në lëvizje.
I plagosuri është kandidat dhe bartës i listës së këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim në Likovë për zgjedhjet lokale të 19 tetorit.
I plagosuri është identifikuar si Z.Sh., 43 vjeç, nga fshati Sllupçan i komunës së Likovës dhe është dërguar për trajtim në spitalin e Kumanovës, bëri të ditur Ministria për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut.
Televizioni “Telma” raportoi se personi i plagosur është punonjës në Klinikën e Pulmologjisë në Shkup.
Zyra e Prokurorisë Publike tha se sipas indikacioneve të para ngjarja nuk duket se ka motive politike, por shtoi se po hetohen të gjitha rrethanat, informon Radio Evropa e Lirë.
“Dy prokurorë nga Zyra e Prokurorisë Themelore të Kumanovës kanë shkuar në vendngjarje dhe po kryejnë hetimet. Gjurmët dhe të provat materiale po grumbullohen dhe më pas do të ekzaminohen. Një person është ndaluar lidhur me të shtënat, ndërkaq në kërkim është sulmuesi”, tha Zyra e Prokurorisë Publike.
BDI-ja njoftoi se, në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për shkak të seriozitetit të kësaj ngjarjeje, partia ka pezulluar të gjitha aktivitetet e planifikuara për sot.
Kjo parti shqiptare kërkoi që institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për të rikthyer besimin e publikut dhe sigurisë në terren.
“Jemi të shqetësuar nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, i cili u qëllua nga persona me maska dhe u plagos. Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor. Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe me vendosmëri, për të identifikuar, arrestuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e këtij atentati”, tha BE-ja përmes një njoftimi.
Ky subjekt politik u bëri thirrje mbështetësve dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe “të mos bien pre e provokimeve dhe të tregojnë maturinë që gjithmonë e ka karakterizuar lëvizjen tonë”.
Ministria e Brendshme tha se incidenti ndodhi në orën 13:54, kur autoritetet morën informatën se në kryqëzimin e rrugës Dimitrije Tuçoviq dhe Oktomvri 11 në Kumanovë, dy persona që po lëviznin me një makinë qëlluan me armë zjarri drejt Z.Sh.
“Ai është plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin në Kumanovë”, tha ministria.
Autoritetet thanë se policia ka dalë në vendin ku ndodhi ngjarja, që përveç ndërtesës së komunës, gjenden edhe zyra të gjykatës, postës dhe policisë.
Ndërkaq, drejtori i spitalit të Kumanovës, Sasho Stoshevski, konfirmoi për agjencinë MIA se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.
“Personi është pranuar me katër plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit në parakrahun e majtë dhe gjurin e djathtë. I kemi kryer të gjitha ekzaminimet. Pacienti është jashtë rrezikut për jetë. Ai është transportuar në spitalin e Shkupit”, tha Stoshevski.
Ngjarja ndodhi dy javë para se Maqedonia e Veriut të mbajë zgjedhjet lokale. Për zgjedhjet e 19 tetorit, partitë janë duke zhvilluar fushatë 20-ditore.