Ndalimi i imamit shqiptar nxit përplasje mes institucioneve në Shkup

Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut për t’ia ndaluar hyrjen në këtë vend imamit nga Tirana, Ahmed Kalaja, ka shkaktuar përplasje mes institucioneve në Shkup, pasi ndalesa e policisë është kritikuar nga Ministria e Drejtësisë.

Imamit Ahmed Kalaja iu ndalua të hyrë në territorin e Maqedonisë së Veriut, më 16 prill, në pikën e kalimit kufitar në Qafë Thanë.

Atij policia kufitare i ka dorëzuar vendimin mbi arsyet e ndalesës e që kanë të bëjnë me rrezikun që paraqet për Maqedoninë e Veriut, bazuar në nenin 17 të Ligjit për të huajt.

“Ndalimi i hyrjes në Maqedoninë e Veriut bazohet në rrezikun që paraqet për rendin publik, sigurinë kombëtare, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në vendimin për refuzimin e hyrjes në Maqedoninë e Veriut të imamit Ahmed Kalaja.

Autoritetet kufitare nuk kanë dhënë detaje tjera mbi këtë vendim apo çfarë rreziku paraqet Kalaja për sigurinë kombëtare të Maqedonisë së Veriut.

Por, ky vendim i MPB-së është vlerësuar si absurd nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, duke akuzuar madje struktura të caktuara të shtetit për “islamofobi dhe albanofobi”.

“Maqedonia [e Veriut] vazhdon të vuajë nga sëmundjet e vjetra ku akoma elemente, të cilët janë antishqiptare dhe anti-islame, apo albanofobe dhe islamofobe janë pjesë e strukturave në shtet, e sidomos në atë të sigurisë. Unë shpreh keqardhje për atë që ka ndodhur, hoxhës i kërkoj falje në emrin tim dhe asaj që unë përfaqësoj… Për disa ditë ne do ta kryejmë punën dhe nuk do të ketë më pengesë për hoxhën e nderuar që të vijë në Maqedoni [të Veriut] dhe të mos jetë në stop listë, sepse është absurde që një njeri që bën thirrje për paqe, mirësi dhe dashuri, të mund të cilësohet si ekstrem ose diçka e tillë”, deklaroi Lloga.

Imami Ahmed Kalaja ishte ftuar të merrte pjesë në një manifestim fetar nga drejtuesit e një xhamie në Shkup.

Në reagimin pas ndalesës për hyrje në Maqedoninë e Veriut, imami Ahmed Kalaja ka akuzuar institucionet maqedonase për “politika shoviniste ndaj shqiptarëve”.

Ai në reagimin në rrjetin social Facebook tha se për vizitën e tij ishin të njoftuara institucionet e Maqedonisë së Veriut.

“Arsyeja e ndalimit shprehet në letër, e normalisht nuk ke ku të ankohesh vetëm se te Zoti, që t’jua japë hakun atyre ndaj kësaj sjellje të paprecedent, arrogante dhe monstruoze. Ndoshta institucionet e përfaqësimit të islamit në dy shtetet, Avokati i Popullit, Ministria e Jashtme dhe shteti do të reagojnë. Ndjesë besimtarëve edhe qytetarëve të Shkupit ndaj politikave monstruoze të atyre që i udhëheqin”, thuhet në reagimin e imamit Kalaja.

Bashkësitë Fetare Islame në Shkup dhe Tiranë nuk e kanë komentuar këtë rast, që është i pari që një imami i ndalohet hyrja në Maqedoninë e Veriut.

Kush është Ahmet Kalaja?

Imami Ahmet Kalaja me postimet e tij në rrjetet sociale disa herë ka ngjallur debate dhe rasti i fundit ishte postimi i tij për Andrew Tate, influencuesin britaniko-amerikan i arrestuar në Rumani si pjesë e një hetimi mbi akuzat për trafikim me qenie njerëzore dhe përdhunim.

“Zot ruaje e mbroje habibin!”, shkroi Kalaja në Facebook, duke nxitur reagime të shumta nga ndjekësit e tij.

Pak vite më parë emri i tij u përmend nga disa të akuzuar për pjesëmarrjen e tyre në luftën në Siri, duke pretenduar se ishin frymëzuar prej tij në ligjëratat që mbante në xhami. Vetë imami i kundërshtoi këto deklarata, ndërsa në një intervistë për mediat në Shqipëri tha se myslimanët në Shqipëri e kanë “xhihadin”e tyre në vendin e tyre.

Ai njihet për marrëdhëniet e tij të mira me disa futbollistë të kombëtares kuqezi si mërgim Mavraj, Andi Lila, Armando Sadiku etj. Në një video të publikuar në rrjetet sociale imami u shfaq së bashku me miqtë e tij duke përdorur fjalë fyese ndaj priftërinjve dhe kjo ngjalli reagime të shumta e madje u kërkua shkarkimi tij nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.

Në vitin 2021, në xhaminë ku shërben imami Ahmet Kalaja u regjistrua një sulm me thikë. Një person hyri në xhami derisa po kryhej falja dhe plagosi me thikë gjashtë persona të tjerë./REL


Shtuar 18.04.2023 20:38