Mickoski ashpërson retorikën kundër BDI-së!

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, vazhdon me retorikën tashmë të njohur kundër BDI-së, por edhe kundër Presidentit aktual dhe LSDM-së.

Mickoski gjatë një tubimi në Tetovë adresoi akuza me pretendimet për një rakim në vilën presidenciale në Vodno, ku sipas tyre, Pendarovski, Ali Ahmeti, Artan Grubi dhe Ali Ahmeti, kanë bërë plane për ndryshimet e Kodit Penal dhe amnistimin eventual të ish-politikanëve.

“Takimi është bërë që në mënyrë kontrabanduese të kalojnë ndryshimet kushtetuese dhe për t`i shkaktuar dëme VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Maqedonia Yte. Vota për Pendarovskin është votë për Artan Grubin, Ali Ahmetin, Talat Xhaferin dhe Kovaçevskin” – tha Mickoski.

Pohime që nuk kanë lidhje me realitetin. Në këtë mënyrë i ka quajtur pretendimet e Mickoskit, lideri socialdemokrat Dimitar Kovaçevski duke përgënjeshtruar se ka patur takim të tillë në vilën Vodno.

“S`ka patur asnjë takim në vilën “Vodno” ku është biseduar për ndryshime ligjore, e as që me ato ndryshime është planifikuar votimi I ndryshimeve kushtetuese” – deklaroi Dimitar Kovaçevski.

BDI gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale vazhdon të alarmojë për rrezikun e thirrjeve që vijnë nga VMRO-DPMNE që kjo parti në zgjedhjet parlamentare të fitojë 61 deputetë.

BDI dhe Fronti Evropian kanë përshëndetur përkushtimin e SHBA-ve për vazhdimin e frymës së Marrëveshjes së Prespës dhe vazhdimin e rrugës europiane të Maqedonisë së Veriut.

“BDI dhe Fronti Europian si fitues absolut i zgjedhjeve, ndryshe nga opozita shqiptare dhe maqedonase, të ardhmen e vendit e sheh drejt Perëndimit dhe jo drejt Rusisë. Kjo do të dëshmohet me votat e 24 prillit dhe 8 majit, kur derivatet pro-ruse do të kujtohen vetëm si humbësit historik në Maqedoninë e Veriut” – thonë nga BDI, Fronti Europian.

Në fushatën parazgjedhore, VMRO-DPMNE-ja ka ashpërsuar retorikën e saj ndaj BDI-së duke bërë thirrje për dalje masovike në zgjedhjet e dyfishta, me qëllim, sic thonë, të fitojnë 61 deputetë dhe të mos kushtëzohen nga shqiptarët.

Krahas këtyre kërkesave, eskponenët të kësaj partie publikisht kanë filluar të flasin për shfuqizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të vendit po edhe për mos miratimin e ndryshimeve kushtetuese, që ata e quajnë sipas “diktatit bullgar”. /tvklan.mk/


Shtuar 13.04.2024 20:18

Tags: ,