Maqedonia refuzon propozimin francez

Nuk ka vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë as në Samitin e BE-së të këtyre ditëve. Të dyja vendet u siguruan për këtë në Samitin me vendet e Ballkanit Perëndimor i cili i parapriu Samitit të Këshillit Evropian që filloi në orët e pasditës, shkruan Alsat.
Ndërkaq Shkupi i ktheu shpinën propozimit francez. Ai është i papranuseshëm për vendin. Këtë e bëri të ditur kryeministri Dimitar Kovaçevski në Bruksel pasi ka njoftuar presidencën franceze për linjat e kuqe të Shkupit të cilat duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese që ajo të jetë e pranueshme.

“Formulim i qartë për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas. Çështjet historike nuk mund të jenë kritere në kornizën negociuese. Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të fillojnë para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Preambulën e Kushtetutës. Garanca të fuqishme edhe nga Bullgaria, edhe nga BE-ja që Bullgaria nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja jashtë asaj për të cilën do të merremi vesh në kornizën negociuese dhe protokollit bilateral I cili akoma nuk është dakorduar me Bullgarinë”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Nëse gjatë presidencës franceze ka mirëkuptim për kërkesat e Maqedonisë së Veriut, vendi është i gatshëm të vazhdojë procesin. I zhgënjyer nga Bullgaria dhe nga BE-ja u shpreh kryeministri shqiptar Edi Rama.

“Më lejoni të shpreh ngushëllimet e mija për BE-në. Ndjej keqardhje për to dhe shpresoj që mund të bëjmë diçka për t’i ndihmuar. Arsyeja nuk është vetëm Bullgaria, le ta themi të vërtetën. Bullgaria është një turp por nuk është vetëm ajo. Arsyeja është fryma e pandershme e zgjerimit, totalisht e pandershme dhe Bullgaria është shprehja më e dukshme e tij”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Në konferencë të përbashkët për mediat, presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se kishte dhënë mbështetje për fillimin e negociatave për Shkupin dhe Tiranën.

Kryeministri bullgar Kirill Petkov kishte njoftuar që në orët e paraditës se deri sa kuvendi bullgar nuk ka sjellur një vendi, ai në samit nuk do të japë dritë jeshile.

“Nuk ka mundësi hipotetike që diçka të ndodhë sepse unë jam nikoqiri i shtetit. Unë jam kryeministër i Bullgarisë dhe kur thotë populli bullgar diçka unë kujdesem për të. Por ajo për të cilën shpresojmë është që në një të ardhme të afërt Kuvendi popullor të marrë vendim për këtë çështje dhe besoj se do të kemi moment historik në të cilin do të mund t’i mbrojmë të gjitha interesat bullgare, ta mbrojmë interesin bullgar për një kohë më të gjatë dhe t’u japë mundësi qeverive të ardhshme të vazhdojnë të punojmë mbi atë kornizë”, deklaroi Kirill Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për zgjerim nuk është i kënaqur me rezultatet e samitit sa i takon Ballkanit Perëndimor.

“Ne nuk jemi ku duhej të ishim me Ballkanin Perëndimor. Sot ne duhej të fillojmë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim. Zhgënjimi im është edhe zhgënjimi i shumë njerëzve. Ne duhet t’i fillojmë dhe ka akoma një shpresë. Unë nuk e di çfarë parlamenti bullgar mund të bëjë në orët e ardhshme por gjërat nuk shkojnë mirë. Kjo tregon edhe një herë se uninanimiteti në marrjen e vendimeve është një problem i madh”, theksoi Xhozef Borell, përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme.

Liderët e Ballkanit Perëndimor kanë përshëndetur iniciativën e presidentit Makron për një Bashkësi politike evropiane por kërkojnë qartë që ajo të mos jetë zëvendësim për integrimin.
Në Samitin e Këshillit Evropian sot dhe nesër do të diskutohet edhe për kandidaturën e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjoergjisë. /Alsat.mk