Maqedonia e Veriut po përballet me një valë të vazhdueshme emigrimi të të rinjve, e nxitur nga pagat e ulëta, vështirësitë për punësim dhe mungesa e perspektivës. Ky fenomen është shndërruar në një problem serioz demografik, duke ndikuar edhe në hartimin e politikave shtetërore. Sipas Strategjisë së re të rishikuar për Zhvillim Rajonal të RMV-së për periudhën 2021–2031, vendi rrezikon të humbasë deri në 22.000 banorë çdo vit. Një anëtarësim i afërt në Bashkimin Evropian mund të ngadalësonte rënien e popullsisë dhe të forconte pozitën e vendit në procesin e integrimit evropian, shkruan Portalb.mk.
None found
Rrezarta Iseni shprehet se gjendja ekonomike dhe pengesat për të gjetur një vend pune e kanë bërë të mendojë për emigrimin. Megjithatë, ajo beson se edhe brenda Maqedonisë së Veriut ekzistojnë mundësi për të krijuar një të ardhme.
“Mundësia për të hapur një biznes dhe nëse një i ri do mundet të arrijë edhe këtu. Rrjetet sociale si Tiktok dhe Instagram, po ndikojnë që të rinjtë të ndjekin luksin dhe vendosin të largohen nga shteti”, tha ajo.
Sipas Rrezartës, e ardhmja e saj lidhet më shumë me vendin ku jeton, ndërsa të rinjtë i këshillon të mos heqin dorë nga përpjekjet e tyre.
“Çdo kush e ka zgjedhjen e tij se ku dëshiron të jetojë dhe punojë, por sigurisht që më mirë kishte qenë këtu. Pasi të suksesshëm mund të jemi edhe këtu, vetëm kërkon angazhim. Të rinjve u kisha kërkuar të jenë këmbëngulës në kërkim të fatit të tyre”, u shpreh ajo.
Studentja Amra Osmani rendit disa arsye që, sipas saj, i shtyjnë të rinjtë drejt emigrimit: cilësia e pamjaftueshme e arsimit, mungesa e vendeve të punës, humbja e shpresës dhe fakti që zëri i tyre nuk dëgjohet.
Në një deklaratë për Portalb.mk, Osmani tha se shumë të rinj kanë aftësitë dhe talentin për t’i zhvilluar idetë e tyre në vend, por mungesa e mbështetjes institucionale ua dobëson shpresën. Ajo veçoi gjithashtu ndikimin e rrjeteve sociale, ku paraqitja e një stili luksoz jetese mund të ndikojë në vendimin për t’u larguar.
“Rrjetet sociale gjithashtu kanë një rol të rëndësishme në emigrimin e të rinjve, shpesh ne shohim video në rrjetet sociale, nga udhëtime luksoze dhe makina të shtrenjta dhe udhëtime të ndryshme. Kjo i dërgon të rinjtë të beosjnë se kjo e ardhmja i pret nëse edhe ata largohen jashtë vendit. Në rrjetet sociale na shfaqet vetëm një pjesë e vogël e realitetit. Të rinjtë nuk shohin perspektiv në vendin e tyre dhe kur humbin shpresën i nxitë të largohen nga vendi i tyre”, deklaroi ajo.
A e shohin të ardhmen e tyre këtu dhe çfarë do t’i bindte të qëndronin?
Delvina Sejdiu e interpreton ndryshe këtë dukuri. Ajo thotë se për një pjesë të madhe të të rinjve dilema nuk është më nëse do të largohen, por vetëm koha kur do ta bëjnë këtë.
Shkak për këtë, sipas saj, janë mundësitë e kufizuara dhe mungesa e perspektivës, të cilat i bëjnë të rinjtë të ndiejnë se puna e tyre nuk vlerësohet.
“Këta faktorë, thekson ajo, ua humbin të rinjve shpresën dhe krijojnë ndjesinë se nuk vlerësohen dhe nuk shpërblehen për atë që janë dhe për atë që bëjnë”, u shpreh Delvina.
Çfarë po bën shteti?
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë deklaron se çështja e emigrimit të të rinjve është përfshirë në politikat dhe dokumentet strategjike të Qeverisë. Megjithatë, institucionet nuk kanë vendosur një objektiv të matshëm për përqindjen me të cilën synohet të pakësohet emigrimi dhe as një afat deri në të cilin kjo duhet të arrihet.
Plani i Veprimit 2026–2027, i hartuar për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Rininë 2023–2027, përfshin masa që lidhen me punësimin, përafrimin e arsimit me tregun e punës, sipërmarrjen, sigurinë financiare dhe përfshirjen më të madhe të të rinjve.
Mes masave të parashikuara është edhe “Garancia për të rinjtë”. Nëpërmjet saj, personat deri në 29 vjeç që nuk punojnë, nuk ndjekin arsimin dhe nuk janë në trajnim duhet të marrin brenda katër muajve një ofertë për punësim, arsimim, trajnim ose përfshirje në një masë aktive.
Ministria përmend ndërhyrje të tjera, si mbështetja për vetëpunësim, trajnimet dhe praktikat profesionale.
“Në kuadër të këtyre politikave përfshihen edhe masa si vetëpunësimi, trajnimet, praktikat profesionale dhe forma të tjera të mbështetjes për hyrjen ose riintegrimin e të rinjve në tregun e punës”, thonë në nga Ministria e Politikës Sociale, e Demografisë dhe e të Rinjve.
Megjithatë, kjo ministri nuk ka të dhëna të veçanta për numrin e të rinjve që janë larguar nga vendi dhe për informacionin përkatës i referohet Entit Shtetëror të Statistikave.
Sipas ministrisë, po punohet gjithashtu për krijimin e mekanizmave sistematikë që do të mbështesin personat e kthyer nga diaspora, veçanërisht të rinjtë.
Largimi i pakthyeshëm i njerëzve të rinj dhe i popullsisë në moshë pune pritet të ndryshojë në mënyrë të thellë strukturën demografike të shtetit, i cili po përballet gjithnjë e më shumë me rrezikun e plakjes së popullsisë.
Enti i Statistikës ka konfirmuar përmasat e problemit demografik. Të dhënat e përmbledhura për vitin 2025 tregojnë se në 66 komuna është regjistruar shtim natyror negativ, pra numri i të vdekurve ka qenë më i madh se ai i lindjeve të gjalla. Kjo lidhet kryesisht me largimin jashtë vendit të popullsisë së re dhe në moshë riprodhuese. Në nivel vjetor, lindjet e gjalla kanë rënë me 4,1%.
“Projeksionet demografike për vendin tonë janë negative, përkatësisht pjesëmarrja e personave mbi 65 vjeç do të rritet në mbi 34% deri në vitin 2055, numri i personave mbi 80 vjeç do të rritet më shumë se gjashtëfish krahasuar me gjendjen në vitin 2024, ndërsa popullsia në moshë pune do të zvogëlohet me gati gjysmë milioni persona, gjë që do t’i shtojë edhe më tej presionet mbi financat publike”, kanë theksuar edhe revizorët në analizën “Plakja e popullsisë”.
Raporti i OECD-së për vitin 2025 tregon se gjatë vitit 2024 rreth 535 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut jetonin jashtë territorit të vendit, ndërsa në vitin 2015 ky numër ishte rreth 437 mijë. Norma e emigrimit është rritur në 24.2%. OECD ka paralajmëruar për humbjen e kapitalit njerëzor dhe “brain drain”, ndërsa 58% e bizneseve të përfshira në anketë e konsiderojnë largimin e fuqisë punëtore të kualifikuar si një pengesë të moderuar ose të madhe.
Dogana e Kosovës ka arkëtuar deri tani 1 miliard e 347 milionë euro të hyra, që paraqet një rritje prej…
Analisti Gëzim Mekuli ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe përkrahjen publike që ish-emisari amerikan Richard…
Mesfushori gjerman, Aleksandar Pavlovic refuzoi një kërkesë nga Manchester City, të cilët ishin të gatshëm të ofronin deri në 100…
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, ku ka njoftuar për dorëzimin e aktakuzës lidhur…
Komuna e Çairit javën e ardhshme pritet të nisë punimet për ndërtimin e bulevardit “Mit’hat Frashëri”, një nga projektet kryesore…
Sh-deputeti i PD Ervin Salianji ka reaguar lidhur me udhëtimin e Sali Berishës drejt Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar…