Zv.Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti pak ditë më parë në mbështetje të protestës që u mbajt në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale të Hagës deklaroi se Lufta e UÇK-së në Kosovë, ajo në Preshevë si dhe në Maqedoni ka qenë e drejtë, e arsyeshme dhe e pastër.
“Qëndrimi im ka qenë dhe ngelet parimor dhe i palëkundur: Lufta e UÇK-së në Kosovë, ajo në Preshevë si dhe në Maqedoni ka qenë e drejtë, e arsyeshme dhe e pastër!” tha Mexhiti.
Por deklarata e Mexhiti u kundërshtua nga kryeministri i RMV-së, Hristian Mickoski. Ky i fundit deklaroi për gazetarët se lufta nuk mund të jetë e arsyeshme dhe e drejtë teksa anëtarët e MPB-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes u vranë në mënyrë tinëzare në një pritë. Madje Mickoski u bëri thirrje të gjithë politikanëve të arsyeshëm të mos luajnë kartën e (partisë opozitare shqiptare) BDI-së dhe atyre që duan të na kthejnë 25 vjet prapa.
Reagime ka pas edhe nga BDI, ku thuhet se deklarata e Kryeministrit për Luftën e UÇK-së është fyerje e drejtpërdrejtë për shqiptarët dhe për historinë e drejtë të demokracisë në vend. Sipas BDI Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka qenë e drejtë, e shenjtë dhe vendimtare për demokratizimin e shtetit.
“Deklarata e Kryeministrit për Luftën e UÇK-së është fyerje e drejtpërdrejtë për shqiptarët dhe për historinë e drejtë të demokracisë në vend. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka qenë e drejtë, e shenjtë dhe vendimtare për demokratizimin e shtetit, për kthimin e paqes, për trajtimin e barabartë të të gjitha komuniteteve dhe për arritjen e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, marrëveshje që vetë Kryeministri sot e sulmon, si me platformën e tij politike, ashtu edhe me praktikat e përditshme të qeverisjes” – thuhet në deklaratën e BDI.