Gazetari dhe botuesi i gazetës Koha, Lirim Dullovi ka reaguar në lidhje me protestën që mbajtën ditën e djeshme studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, ku pjesëmarrës ishte edhe djali i tij.
Dullovi shkruan se pjesëmarrja e djalit të tij në këtë protestë, i ka kthyer kujtimet e të shkuarës. Gazetari më tej thekson se edhe pas 30 viteve, shqiptarët në Maqedoni kërkojnë të drejtat themelore.
Të lidhura
None found
“Për të drejtat elementare që në një shtet normal nuk kërkohen, nuk negociohen dhe nuk vihen në pikëpyetje sa herë që dikujt i zgjohet urrejtja ndaj shqiptarit. Kjo është ajo që më dhemb më shumë. Jo vetëm padrejtësia e sotme, por fakti se ajo po u trashëgohet fëmijëve tanë si një barrë e vjetër.”, thekson ai në postimin e tij.
Po ashtu botuesi shton në fund, se “Tradhëtarët shqiptarë që po dalin haptazi në këtë shtet, nevojitet një reprizë e Shqipërisë së 97-tës”.
Postimi i plotë:
Dje në protestë, ndërsa e shikoja djalin tim me flamur në dorë, mu kthyen para syve pamjet e para 30 viteve. Sikur koha të mos kishte lëvizur fare. Sikur brezat vetëm të ndërroheshin, por plagët të mbeteshin po aty. Në syt e tij, në qëndrimin e tij, në atë flamur që e mbante me krenari, pashë veten time të dikurshme, me të njëjtin mall, me të njëjtin zemërim dhe me të njëjtën dhimbje.
Dhe aty, mes asaj turme, më goditi një ndjenjë e rëndë: sa e padurueshme është bërë kjo përsëritje. Sa e rëndë është të kuptosh se pas tri dekadash, djali yt po del në rrugë për ato gjëra për të cilat ke menduar se nuk do të duhej të dilte më askush. Për gjuhën. Për flamurin. Për dinjitetin. Për të drejtat elementare që në një shtet normal nuk kerkohen, nuk negociohen dhe nuk vihen në pikëpyetje sa herë që dikujt i zgjohet urrejtja ndaj shqiptarit.
Kjo është ajo që më dhemb më shumë. Jo vetëm padrejtësia e sotme, por fakti se ajo po u trashëgohet fëmijëve tanë si një barrë e vjetër. Dhe sinqerisht, kjo është bërë e padurueshme. Sepse kam jetuar gjithë jetën duke parë të njëjtat sulme ndaj shqipes, të njëjtat mllefe ndaj flamurit shqiptar, të njëjtat përpjekje për t’i bërë shqiptarët të ndihen mysafirë në vend të tyre. Dhe sot, në vitin 2026, ende ka njerëz që mendojnë se duke urryer gjuhën time, flamurin tim dhe të drejtat e mia, po mbrojnë diçka të vetën. Jo! Ata vetëm po dëshmojnë sa të vegjël janë në mendje dhe sa të varfër janë në shpirt.
Më dhemb sepse dje, duke e parë djalin tim në protestë, e kuptova se ky shtet ende nuk ka gjetur forcë morale për t’u çliruar nga sëmundjet e vjetra. Problemet e njëjta po riciklohen, padrejtësitë e njëjta po përsëriten, ndërsa neve na kërkohet prapë durim, prapë heshtje, prapë mirëkuptim. Por ka një pikë , një moment , kur njeriu nuk ka më çfarë të durojë. Ka një pikë kur lodhja bëhet revoltë.
Unë nuk dua që nesër edhe nipat e mi të dalin në rrugë për të njëjtat halle. Nuk dua që edhe ata të rriten me ndjenjën se gjuha e tyre duhet mbrojtur vazhdimisht, se flamuri i tyre duhet arsyetuar, se identiteti i tyre duhet justifikuar para atyre që ende ushqehen me urrejtje primitive. Nuk dua që edhe një brez tjetër të trashëgojë të njëjtin ankth, të njëjtën pasiguri dhe të njëjtën betejë për gjëra që duhej të ishin mbyllur moti.
Prandaj po e them hapur se, me ata që e urrejnë shqipen, me ata që e urrejnë flamurin shqiptar dhe me ata që i sulmojnë të drejtat tona, unë nuk dua të kem as afërsi, as mirëkuptim, as komunikim. Nuk mund të kem respekt për dikë që e sheh identitetin tim si problem, kur unë nuk kam problem me identitetin e tij. Nuk mund të kem urë bashkëpunimi me ata që ende jetojnë me mendësinë e mohimit dhe të përbuzjes së tjetrit.
Kjo rrugë nuk do t’i sjellë asgjë të mirë askujt. As neve, as atyre që sot mendojnë se kanë pak forcë në anën e tyre. Historia e ish-Jugosllavisë e ka treguar qartë ku çojnë shovinizmat, urrejtjet dhe mohimi i tjetrit, në ndarje, në tragjedi, në turp dhe në funde të rënda.
Të mençurit mësojnë nga gabimet e huaja. Budallenjtë as nga gabimet e veta.
P.s. A për tradhëtarët shqiptarë që po dalin haptazi në këtë shtet, nevojitet një reprizë e Shqipërisë së 97-tës!
