ANALIZË: Historia zgjedhore e pjesëmarrjes në zgjedhje Maqedoninë e Veriut

2024 – viti i zgjedhjeve. Më 8 maj qytetarët do të votojnë në zgjedhje të dyfishta, në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, nëse në rrethi e parë njëri prej kandidatëve nuk fiton shumicën prej 50% plus 1, dhe në zgjedhjet parlamentare, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Vitin e ardhshëm qytetarët do të votojnë në zgjedhjet e shtata me radhë presidenciale në shtetin e pavarur të Maqedonisë dhe të 11-at me radhë parlamentare. Një nga arsyet kryesore të zgjedhjeve të “dyfishta” është motivimi i qytetarëve për të dalë në votime, pasi për zgjedhjen e presidentit të vendit kërkohet një pjesëmarrje prej 40 për qind. Cila është “historia” e pjesëmarrjes në disa prej cikleve zgjedhore në vitet e kaluara?

Zgjedhjet lokale në tetor të vitit 2021

Zgjedhjet e fundit lokale u mbajtën në tetor të vitit 2021, ndërsa përveç kësaj, u mbajtën edhe zgjedhjet për kryetar komune në komunat e Mavrovë-Rostushës, Qendrës së Zhupës dhe për këshilltarë në komunën e Tetovës. Në këto zgjedhje u regjistruan 1.051.205 zgjedhës dhe kanë votuar 532.804 zgjedhës. Sipas të dhënave të KSHZ-së, të vlefshme ishin 522.588 vota. Pjesëmarrja në rrethin e dytë ishte 50,69%. Në këto zgjedhje, pjesëmarrje mbi 70% në rrethin e dytë kishte në Vevçan të Konçes. Demir Hisar, Demir Kapi, Llozovë, Rankovc. Në komunat më të mëdha, ku si kryetar komune u zgjodh kandidati nga partitë e bllokut shqiptar, pjesëmarrja ishte e ndryshme. Kështu, në Strugë votuan 42,88% e votuesve të regjistruar, në Tetovë 46,50%, në Çair 44,31%, në Kërçovë 48,06%, në Dibër 43,20%, ndërsa një nga përqindjet më të larta të pjesëmarrjes u regjistrua në Haraçinë me 62,97%.

Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e RMV-së. Infografik nga Portalb.mk
Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e RMV-së. Infografik nga Portalb.mk

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, qershor 2020

Në mes të verës, në kulmin e krizës së Kovid-it, u organizuan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat në mandatin e rregullt duhej të mbaheshin në fund të po atij viti. Sipas të dhënave zyrtare të KSHZ-së, në këto zgjedhje u regjistruan 1.761.149 persona me të drejtë vote, ndërsa në zgjedhje dolën 867.107. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 49,24%

Sipas njësive zgjedhore, dalja më e madhe prej 59,98% ishte regjistruar në Njësinë zgjedhore 4 (Gjevgjelia, Dojrani, Kavadari…), ndërsa në vend të dytë është Njësia zgjedhore 3 (Berova, Velesi, Dellçeva, Koçana…) me dalje prej 57,09%, ndërsa daljen më të ulët prej 32,07% e kishte Njësia zgjedhore 6 (Gostivari, Zhelina, Tetova, Tearca…).

Numri më i madh i votuesve të regjistruar në këto zgjedhje, 339.452, ishte në Njësinë Zgjedhore 5, ndërsa më i ulëti, 240,850, në Njësinë Zgjedhore 2. Sipas të dhënave të KSHZ-së, në këto zgjedhje Koalicioni “Mundemi”, i udhëhequr nga LSDM-ja fitoi 37,68% të votave, Koalicioni “Rindërtimi i Maqedonisë”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja 36,33%, BDI-ja 12,06%, PDSH-ja 1,06%, ndërsa “E Majta” (Levica) fitoi 4,31%, me çka fitoi dy mandate dhe hyri në Parlament.

Zgjedhjet presidenciale në prill/maj 2019

Në këtë cikël zgjedhor në rrethin e dytë final që u zhvillua në fillim të majit 2019 ishin të regjistruar 1.808.131 zgjedhës, ndërsa në votime dolën 843.508, me çka pjesëmarrja në nivel të gjithë vendit ishte 46,65%. Në rrethin e dytë garonin Stevo Pendarovski si kandidat i LSDM-së dhe Gordana Silajnovska, kandidate e VMRO DPMNE-së.

Pas fitores së Pendarovskit qëndruan 435.656 votues, gjegjësisht ai fitoi 51,65% të votave, ndërsa profesoresha Siljanovska mori 377.346 vota ose 44,75% të votave të përgjithshme. Në rrethin e parë të këtyre zgjedhjeve presidenciale, në garë ishin tre kandidatë, gjegjësisht përveç Pendarovskit dhe Siljanovskës, ishte edhe Blerim Reka, si kandidat i Aleancës së Shqiptarëve dhe Besës, i cili fitoi 10,6% të votave. Për t’u konsideruar të suksesshme, në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale duhet të sigurohet një pjesëmarrje prej 40%, ndërsa në rrethin e parë mund të shpallet fituesi nëse fitohen më shumë se 50% e votave.

Zgjedhjet parlamentare në vitin 2016

Në fund të vitit 2016, në një mjedis politik tejet të polarizuar, biseda të përgjuara tashmë të publikuara, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat fitoi VMRO-DMPNE, por kjo partia nuk arriti të formonte qeverinë dhe kaloi në opozitë.

Në këto zgjedhje u regjistruan 1.761.490 zgjedhës, ndërsa të drejtën e votës e shfrytëzuan 1.182.143 zgjedhës. Pikërisht në këto zgjedhje u regjistrua një nga përqindjet më të larta të pjesëmarrjes prej 67,11%. Pjesëmarrja në të gjitha njësitë zgjedhore ka qenë mbi 50%, ndërsa më e larta ka qenë në Njësinë zgjedhore 4, ku pjesëmarrja ka qenë 74,65%, ndërsa më e ulëta, 52,51% në Njësinë zgjedhore 6. Në këto zgjedhje BDI-ja fitoi 7,26% të votave, BESA 4,90%, Aleanca për Shqiptarët 2,97% dhe PDSH-ja 2,26%.

Zgjedhjet presidenciale në prill 2014

Këto do të jenë zgjedhjet e pesta presidenciale me radhë në vend. Në vitin 2014 praktikisht u mbajtën zgjedhje të “dyfishta”, rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale u mbajt më 27 prill, së bashku me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në zgjedhjet presidenciale të drejtë vote kishin 1.779.527 votues, ndërsa në pjesëmarrja në rrethin e dytë vendimtar, në të cilin kaluan kandidatët Gjorgje Ivanov, pas të cilit qëndronte VMRO-DPMNE-ja dhe Stevo Pendarovski me logjistikë nga LSDM-ja, ishte 54,36%. Zgjedhjet parlamentare do të jenë të tretat me radhë të shpallura si “të parakohshme”, ndërsa pjesëmarrja ishte gati 63%.

Nga shpallja e pavarësisë në vend e deri në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen prill-maj, në vend u mbajtën dhjetë zgjedhje parlamentare, ndërsa qytetarët do të dalin për të shtatën herë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale për të votuar kryetarin e ardhshëm të vendit. /portalb/


Shtuar 20.12.2023 08:23