Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti nuk ka dhënë ndonjë sinjal për ndërrimin e ministrave, sidomos zv/kryeministrin Artan Grubi, që është një kërkesë publike e të ashtuquajturit “Grupi i zjarrit”.
I pyetur për përplasjet brenda grupeve në BDI, ai u përgjigj se këto janë bisedime dhe mendime ndryshe brenda partisë dhe duhet të respektohen. Por nga ana tjetër, sipas tij, demokracia ka kufijtë e vetë, ku anarkia nuk lejohet në demokraci, ndërsa hodhi poshtë të gjitha pretendimet për një përçarje të partisë.
“Takimi ishte në vazhdën e takimeve tradicionale të BDI-së. Debati ishte shumë konstruktiv, janë dëgjuar vërejtje mbi raportin e ekzekutivit, për të përmirësuar punën në këto institucione. Ka pasur bisedime mbi çështjen e vetingut, ku si BDI kemi përgjegjësi për mbarëvajtjen në shtet. Ka pasur edhe tema të ndryshme për zbatimin e ligjit mbi zbatimin e gjuhës shqipe. Mos pretendoni të ndalen debatet në BDI apo mendimet ndryshe. Unë jam njëri nga ata që nuk do të pajtohesha nëse mendimi ndryshe të ngulfatet, por në fund duhet të repektohet mendimi i shumicës. Demokracia ka kufijtë e vet, do të thotë se anarkia nuk lejohet në demokraci”, ka përfunduar Ahmeti.
Por nga ana tjetër, priten deklarime nga “Grupi i zjarrit”, të cilët nuk dihet se si do të vijojnë me veprimet e tyre drejt fraksionit brenda partisë apo edhe veprime tjera./ina