Si ta ruani bakllavanë në mënyrë të sigurt, mund ta konsumoni dhe dy javë pas përgatitjes

Bakllavaja është një ëmbëlsirë fantastike, për origjinën e së cilës, Greqia, Turqia dhe shumë vende të Lindjes së Mesme nuk po bien dakord edhe sot.

Asirianët pretendojnë se ata e kanë bërë bakllavanë të parët që në shekullin e 8 para Krishtit, duke bërë petën e bukës, mbushur me arra dhe mjaltë dhe pjekur në furrë druri.

Megjithatë, Greqia dhe Turqia akoma vazhdojnë të jenë në konflikt sa i përket bakllavasë.

Konflikti mes dy vendeve për origjinën e kësaj ëmbëlsire mori nota politike në 2006 kur grekët qipriotë vendosën ta quanin ëmbëlsirën si të tyren.

Për turqit kjo ishte një sakrilegj.

Çështja u dërgua në Bruksel. Në vitin 2013, Bashkimi Evropian i dha bakllavasë turke (variantit me peta, krem dhe fistik) statusin e mbrojtjes duke zhgënjyer grekët.

Ajo që historianët pranojnë gjerësisht është se bakllavaja është perfeksionuar gjatë shekullit të 15-të në Perandorinë Osmane.

Dokumentet e asaj periudhe thonë se kjo ëmbëlsirë është pjekur në sarajet e Topkapisë në vitin 1473.

Deri në shekullin e 19-të, bakllavaja konsiderohej një ëmbëlsirë luksi.

Ky perceptim gjen vend edhe në një nga shprehjet më popullore në vend.

Turqit kur duan të tregojnë se nuk kanë shumë mundësi financiare thonë shprehimisht: “nuk jam aq i pasur sa të ha bakllava çdo ditë“.

Për këtë arsye, në këtë vend, bakllavaja serviret vetëm në raste speciale, dasma apo edhe festa.

Mënyrat e duhura për të ruajtur bakllavanë

Kjo ëmbëlsirë përgatitet në një ditë por mund të ruhet për mbi dy javë.

Mësoni mënyrat e duhura si të ruani cilësinë dhe shijen e bakllavasë për sa më gjatë.

Kësisoj do të jeni aq të kamur në shije sa të hani bakllava çdo ditë.

Këshilla e parë për ruajtjen e cilësisë së bakllavasë është që pas pjekjes të lejoni që të ftohet në temperaturë ambienti për maksimumi një ditë dhe jo më shumë.

Bakllavaja duhet prerë në forma përpara pjekjes dhe më pas sërish pas saj për të siguruar që copët shkëputen lehtë.

Shërbeti duhet hedhur në bakllava pas pjekjes dhe më pas ëmbëlsira duhet futur në furrë për disa minuta për një përthithje më të mirë dhe më pas duhet lënë që të ftohet.

Bakllavaja nuk duhet futur në frigorifer në ditët e para sepse sheqeri do të kristalizohet dhe ëmbëlsira do të bëhet më e fortë.

Pas një jave, copat e mbetura të bakllavasë mund të mbështillen me letër kuzhine dhe të ruhen në frigorifer në temperaturë jo shumë të ulët.

Nëse nuk ju josh një mënyrë e tillë, copat e bakllavasë mund t’i fusni në një enë plastike. Në sipërfaqe vendosni letër alumini dhe më pas mbylleni enën me kapak dhe ta fusni në frigorifer.

Ekspertët thonë se nuk duhet të përdorni enë qeramike. Ato mundësojnë ajrosjen e ëmbëlsirës dhe ajri përshpejton prishjen e saj.

Si ta ruani bakllavanë në ngrirje?

Bakllavanë e pagatuar mund ta ruani në ngrirje me gjithë tepsi. Pasi petët të kenë ngrirë plotësisht, hiqeni ëmbëlsirën nga tepsia.

Mbështilleni me katër shtresa letër kuzhine dhe më pas futeni sërish në ngrirje ku mund ta ruani për deri në 4 muaj.

Kur të jeni gati për pjekjen e saj, hiqeni nga ngrirja dhe futeni në frigorifer të shkrijë.
Pasi të ketë shkrirë, lyejini petët sërish me gjalpë, piqeni për 30-35 minuta dhe më pas hidhni shërbetin.

Bakllavanë e pjekur mund ta ruani në ngrirje gjithashtu por pa e shërbetosur.

Bakllavaja duhet ndarë në copa, të cilat mund të ruhen në qese plastike të puthitura mirë.

Bakllavaja e pjekur mund të qëndrojë në ngrirje për 4 muaj.