Categories: shëndetësi

BBC: Vaksina e personalizuar shënon përparim të madh në parandalimin e rikthimit të kancerit

Një vaksinë e re e përshtatur për çdo pacient, e përdorur së bashku me një ilaç, ka parandaluar rikthimin e kancerit të lëkurës te pacientët pjesëmarrës në një provë klinike. Rezultati mund të shënojë një moment historik në trajtimin e sëmundjes.

E zhvilluar nga kompanitë farmaceutike Merck dhe Moderna, vaksina iu administrua pacientëve me melanoma me rrezik të lartë, një formë e kancerit të lëkurës, pas ndërhyrjes kirurgjikale. Lajmi raportohet nga BBC dhe transmetohet nga Klankosova.tv.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit të përbashkët të dy kompanive, rezultatet fillestare tregojnë se vaksina ka zgjatur periudhën që pacientët kanë kaluar pa kancer, megjithëse ende nuk dihet se sa gjatë do të zgjasë ky përfitim.

Ekspertët e onkologjisë e kanë cilësuar rezultatin si një zhvillim të rëndësishëm, por kanë bërë thirrje për kujdes. Të dhënat e plota ende nuk janë publikuar dhe nuk janë shqyrtuar nga ekspertë të pavarur, të cilët verifikojnë gjetjet e studimeve.

Edhe pas përfundimit të provave klinike, trajtimi do të ketë nevojë për miratim nga autoritetet rregullatore. Më pas, ai duhet të kalojë edhe një proces tjetër aprovimi përpara se të ofrohet në NHS.

Vaksina, e pagëzuar “Intismeran”, u dha së bashku me “Keytruda”, një ilaç imunoterapie që tashmë përdoret për trajtimin e kancerit.

Kompanitë deklaruan se, në krahasim me përdorimin e vetëm të “Keytruda”-s, kombinimi me vaksinën e zgjati ndjeshëm kohën pa kancer dhe e uli rrezikun e përhapjes së sëmundjes në organe të tjera.

Studimi i fazës së tretë përfshiu më shumë se 1.000 pacientë me melanoma të stadit të dytë, të tretë ose të katërt, të gjithë me rrezik të lartë. Në këtë grup bënin pjesë pacientë me tumore të mëdha të përqendruara në një zonë, si dhe persona te të cilët kanceri ishte përhapur në pjesë të tjera të trupit.

Tregon potencial

Merck dhe Moderna e përshkruajnë vaksinën si të personalizuar, pasi ajo krijohet për të synuar tumorin specifik të secilit pacient.

Për zhvillimin e saj, shkencëtarët përdorën teknologjinë mRNA, e cila është përdorur edhe në disa vaksina kundër Covid-19. Teknologjia synon mutacione të veçanta në qelizat kancerogjene, të identifikuara pasi një pjesë e vogël e tumorit hiqet me ndërhyrje kirurgjikale dhe ADN-ja e tij analizohet.

Kështu krijohet një vaksinë kundër kancerit e ndërtuar posaçërisht për tumorin e pacientit. Ajo i udhëzon qelizat e sistemit imunitar të njohin dhe të sulmojnë çdo qelizë tumorale që mund të ketë mbetur në organizëm.

Dy kompanitë po provojnë vaksina të ngjashme të personalizuara edhe për kancerin e mushkërive, fshikëzës urinare dhe veshkave.

Stephane Bancel, shefi ekzekutiv i Moderna-s, tha se rezultatet përbëjnë një “moment vendimtar” për kërkimin në fushën e kancerit.

Pas publikimit të njoftimit, aksionet e Moderna-s dhe Merck-ut u rritën ndjeshëm.

Edhe ekspertët e kancerit e mirëpritën lajmin, duke e cilësuar pozitiv, por nënvizuan se gjetjet ndodhen ende në një fazë të hershme.

Dr. Talisia Quallo, drejtuese për parandalimin dhe zbulimin e hershëm në “Cancer Research UK”, tha se studimi “tregon potencial”, por theksoi se të dhënat paraprake duhet të analizohen plotësisht.

“Është jetike që kërkime të tilla të vazhdojnë të financohen, në mënyrë që më shumë njerëz me kancer të kenë mundësi trajtimi të personalizuar që t’i ndihmojnë të jetojnë më gjatë dhe me cilësi më të mirë jete”, tha ajo.

Dr. Lennard Lee, onkolog mjekësor dhe profesor i asociuar në Universitetin e Oksfordit, deklaroi:

“Ky është sigurisht një lajm i mirë për pacientët me melanoma, por studimi ka implikime shumë më të gjera. Ai ofron prova parimore se vaksinat e personalizuara kundër kancerit funksionojnë”. /Klankosova.tv

të fundit

Shaip Kamberi votoi në vendlindjen e tij, Tërnoc

Shaip Kamberi, bartës i listës së Koalicionit Shqiptar, ka votuar në vendlindjen e tij, në Tërnoc. Pas votimit, Kamberi ka…

5 minutes ago

Fluks i madh në Muçibabë, banorët e Luginës nga Kosova udhëtojnë për të votuar

Kolona të gjata janë krijuar në pikën kufitare në Muçibabë, e cila lidh Gjilanin me Preshevën, për shkak të lëvizjes…

15 minutes ago

Eurostat: Shqipëria pa doktorantë në shkenca, renditet e fundit në Europë

Shqipëria renditet në fund të Europës për numrin e të diplomuarve me doktorate në fushat e shkencës, matematikës, informatikës, inxhinierisë,…

19 minutes ago

Bonucci zbulon ambicien për të drejtuar Juventusin ose Italinë

Legjenda e Juventusit, Leonardo Bonucci, ka zbuluar se ëndrra e tij është të bëhet trajner kryesor i Juventusit ose i…

26 minutes ago

Mungesa e vitaminës D: Shenjat që mund të kalojnë pa u vënë re

Mungesa e vitaminës D: Simptomat që shpesh neglizhohen — Klan Kosova [...]Read More...

26 minutes ago

Edhe unë do të zemërohesha”, Alvarez u kërkon ndjesë tifozëve pas deklaratës për Barcelonën

Julian Alvarez i dhuroi Atletico Madridit fitoren dhe tifozëve një kërkimfalje, pasi shënoi golin e vetëm në triumfin 1-0 ndaj…

26 minutes ago