Receta e kekut pa vezë dhe gjalp, si të përgatisni hap pas hapi ëmbëlsirën e kësaj fundjave

Keku është një nga ëmbësirat që e pëlqen e gjithë familja dhe që nuk do shumë kohë për t’u përgatitur. Ja si të përgatisni një të tillë, pa përdorur vezë dhe gjalpë, duke ruajtur shijen e mrekullueshme.

Çfarë ju nevojitet:

1 filxhan vaj
2 filxhanë ujë të vakët
3 filxhanë miell
5 lugë gjelle kakao
250 gr sheqer
20 gr pluhur për pjekje
1 lugë kafe sodë
1 lugë gjelle uthull
1 lugë kafe ekstrakt vanilje
Lëng dhe lëkurën e një portokalli të grirë në rende
Çokollatë
Fruta të thata
Biskotë
Sheqer pluhur

Përgatitja:

Hapi 1

Në një enë përzijeni ujin me sheqerin, vaniljen, vajin dhe uthullën.

Hapi 2

Shpërbëni sodën te lëngu i portokallit dhe shtojeni tek përzjerja. Përzjeni miellin me kakaon dhe pluhurin pjekës në një enë tjetër dhe shtojeni gjithashtu tek përzjerja e parë.

Hapi 3

Në fund shtoni lëkurën e portokallit.

Hapi 4

Përzjerja do të jetë e lëngshme, por ashtu duhet të jetë. Mos u shqetësoni.

Hapi 5

Piqeni në një formë që më parë e keni lyer me miell dhe vendosi në furrë për 50-60 minuta.

Hapi 6

Nëse dëshironi, kur të ftohet, mund ta shërbeni me çokollatë të shkrirë, fruta të thata, sheqer pluhur etj.

Ju bëftë mirë!


Shtuar 11.03.2022 14:59