Qyteti i Ndaluar, simboli i misterit dhe fuqisë së perandorëve të Kinës

Qyteti i Ndaluar, një pallat i madh perandorak ku dikur banonin perandorët e fuqishëm të Kinës, është një mrekulli e arkitekturës antike dhe e historisë kineze. Me një sipërfaqe mbresëlënëse prej 720.000 metra katrorë, vendi i listuar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s përmban koleksionin më të madh në botë të strukturave të ruajtura të lashta prej druri.

Me mbi 800 ndërtesa dhe gati 9.000 dhoma, është e lehtë të humbasësh në madhështinë e tij. Qyteti i Ndaluar që ndodhet në kryeqytetin aktual Pekin, u ndërtua gjatë sundimit të perandorit Jongle të dinastisë Ming, duke filluar në vitin 1406 dhe përfundoi në vitin 1420.Ai u bë pallati perandorak dhe rezidenca e perandorëve të Kinës për dinastitë Ming dhe Qing, nga fillimi i shekullit XV-të deri në fillimin e shekullit XX-të. U quajt Qyteti i Ndaluar sepse në këtë kompleks nuk mund të futeshin njerëzit e zakonshëm, veçse me një leje speciale. Ai ishte një hapësirë ekskluzive për perandorët, familje e tyre, konkubinat, por edhe një numër tëmadh eunukësh, oborrtarësh dhe shërbëtorësh.

Hyrja në Qytetin e Ndaluar ishte rreptësisht e kontrolluar. Edhe zyrtarët e lartë mund të hynin vetëm në zona të caktuara të kompleksit të pallatit, në varësi të gradës dhe statusit të tyre. Kushdo që kapej duke shkelur pa leje në Qytetin e Ndaluar përballej me një dënim të rëndë, duke përfshirë edhe ekzekutimin me vdekje.

Ekskluziviteti i Qytetit të Ndaluar, synonte ta vinte theksin tek statusi hyjnor dhe suprem iperandorit, si Biri i Qiellit. Si qendra e sistemit perandorak kinez, ai simbolizonte fuqinë dhe autoritetin e perandorit mbi të gjithë Kinën. Qyteti i Ndaluar u ndërtua për të zëvendësuar pallatin perandorak të dinastisë Juan, që ishte shkatërruar.

Për ndërtimin e tij u nxorën dhe përdorën një numër i madh gurësh të mëdhenj. Më të rëndët prej të cilëve peshonin më shumë se 220 tonë, dhe kishin peshuar më shumë se 330 ton përpara se të copëtoheshin. Gjetjet arkeologjike kanë zbuluar se blloqet më të mëdha të përdorura për ndërtimin e Qytetit të Ndaluar, u morën nga një gurore që ndodhej 70 kilometra larg.

Duke pasur parasysh faktin që rrota u shpik në Kinë rreth vitit 1500 Para Krishtit, në fillim besohej se gurët e mëdhenj u transportuan duke përdorur këtë teknologji. Megjithatë, vitin e kaluar, u përkthye një dokument 500-vjeçar, që zbuloi se si gurët gjigantë u rrëshqitën për km të tëra në saja të ndërtuara enkas, dhe u tërhoqën zvarrë mbi shtigje të rrëshqitshme të akullit të lagësht nga një ekip burrash gjatë 28 ditëve.

Punëtorët hapën puse çdo 500 metra për të derdhur ujë mbi akull për ta lubrifikuar atë, gjë që e bëri më të lehtë rrëshqitjen e shkëmbinjve. Veç 800 godinave dhe 9000 dhomave, Qyteti përmban shumë kopshte dhe oborre. Po ashtu aty gjendshin veprave të shumta arti, duke përfshirë piktura, skulptura dhe kaligrafi.

Kompleksi i pallatit ndahet në dy pjesë kryesore:Oborri i Jashtëm dhe ai i Brendshëm. Oborri i Jashtëm ishte vendi ku perandori mbante oborrin e tij dhe kryente punët zyrtare, ndërsa Oborri e Brendshëm ishte e rezervuar për rezidencën private të perandorit dhe familjes së tij.

Të vetmit burra që lejoheshin në Oborrin e Brendshëm ishin eunukët (meshkujt të tredhur), në mënyrë që të sigurohej “autenticiteti” i pasardhësve të perandorit. Qyteti i Ndaluar ishte një nga vendet më të mbrojtura në Kinë. Siguria ishte shumë e sofistikuar, me shtresa të shumta mbrojtjesh dhe m një grupim të madh rojesh, zyrtarësh dhe eunukësh të ngarkuar me mbrojtjen e perandorit dhe familjes së tij.

Qyteti ishte i rrethuar nga një hendek mbi 50 metra e gjerë, i mbushur me ujë nga lumenjtë aty pranë. Po ashtu pallati ishte i rrethuar me mure mbi 10 metra të lartë, të ndërtuara me tulla dhe gurë. Katër porta kryesore siguronin hyrjen në Qytetin e Ndaluar, secila e ruajtur nga ushtarë të armatosur rëndë.

Po ashtu, pallati kishte shumë kalime sekrete, dhoma të fshehura dhe kurthe, të dizajnuara për të parandaluar depërtimin e armiqve tek perandori. Qyteti i Ndaluar u krijua për të përmbushur kënaqësinë e perandorit, duke ofruar një jetë luksi, kënaqësie dhe argëtimi.

Si një sundimtar absolut i Kinës, perandori zotëronte burime të mëdha për të kënaqur çdo tekë të tij. Perandorët e dinastive Ming dhe Qing kishin shumë konkubina për të kënaqur dëshirat e tyre seksuale.

Të dhënat historike thonë se gjatë dinastisë Qing, haremi i perandorit kishte rreth 20.000 gra! Pallati organizonte bankete dhe gosti madhështore, ku perandorit dhe mysafirëve të tij do t’ushërbeheshin një sërë ushqimesh të shijshme. Thuhet se vaktet e perandoreshës Douager Cixi përbëheshin zakonisht nga 108 pjata, një sasi që mund të kishte ushqyer disa mijëra nga nënshtetasit e saj të varfër.

Me gjithë fuqinë që zotëronte perandori dhe pasurinë që kishte, jeta në Qytetin e Ndaluar i ngjante shumë të jetuarit në një kafaz të praruar, pasi perandori nuk ishte i lirë të dilte përtej mureve të Qytetit të Ndaluar. Kur perandori udhëtonte jashtë Qytetit të Ndaluar, duheshin marrë masa paraprake të hollësishme për të garantuar sigurinë e tij.

Perëndimori i parë që u lejua të hyjë Qytetin e Ndaluar ishte misionari jezuit italian, Mateo Riçi. Ndonëse objektivi i Riçit ishte përhapja e besimit të krishterë në Kinë, pranimi i tij në Qytetin e Ndaluar në vitin 1601 nuk ishte për shkak të besimit të tij fetare, por për shkak të njohurive të tij shkencore.

Një tjetër perëndimor që arriti të hynte në Qytetin e Ndaluar, këtë herë gjatë dinastisë Qing, ishte Andreas Van Bram Hukgest, një shtetas amerikan. Rrëfimi mbi vizitën e tij në Qytetin e Ndaluar në vitin 1795 është ruajtur në ditarin e tij. Ai u ofron lexuesve të tij disa histori të jashtëzakonshme mbi jetën në Qytetin e Ndaluar.

Për shembull, ai shkroi se i shërbenin mish që ishte prerë nga vetë perandori. Me sa duket, ky ishte një nder i madh i bërë prej tij. Qyteti i Ndaluar u hap për herë të parë për publikun në vitin 1925, pas rënies së dinastisë Qing në vitin 1911.

Pasi perandori i fundit i Kinës, Puji, u dëbua nga pallati në vitin 1924, qeveria e re republikane e Kinës vendosi ta shndërrojë pallatin në një muze. Që nga ajo kohë Qyteti i Ndaluar u hap për herë të parë për publikun, duke u ofruar qytetarëve të zakonshëm një panoramë mbi jetën e familjes perandorake dhe madhështinë e sistemit perandorak kinez.


Shtuar 31.03.2023 18:05