Shtypja disa herë e butonit të ashensorit nuk buron vetëm nga padurimi. Ky veprim i zakonshëm na jep përshtypjen se kemi kontroll mbi situatën dhe bën që koha e pritjes të na duket më e shkurtër.
None found
Shumë njerëz e prekin sërish butonin për thirrjen e ashensorit ose për mbylljen e dyerve, ndonëse drita e tij është tashmë e ndezur. Psikologët thonë se pas kësaj sjelljeje qëndron nevoja e natyrshme për të ndier se mund të ndikojmë në atë që po ndodh, jo vetëm mungesa e durimit.
Një shtypje tjetër zakonisht nuk e ndryshon funksionimin e ashensorit, por mund të na krijojë ndjesinë se po presim më pak.
Ky është një veprim që me siguri e keni përsëritur shpesh, qoftë duke pritur përpara ashensorit, qoftë pasi keni hyrë brenda tij, edhe pse e dini se procesi nuk do të përshpejtohet. Mund të duket si reagimi i një personi që nuk toleron dot as pak sekonda vonesë, por në fakt bëhet fjalë për një dukuri të emërtuar dhe të studiuar prej dekadash.
Fenomeni quhet “iluzioni i kontrollit”. Psikologia Ellen Langer e përshkroi atë në vitin 1975 si prirjen për të besuar se mund të ndikojmë në ngjarje që realisht nuk varen nga veprimet tona.
Në një prej eksperimenteve, pjesëmarrësit blenë bileta lotarie. Personat që e kishin zgjedhur vetë biletën i jepnin asaj më shumë vlerë sesa ata që e kishin marrë në mënyrë të rastësishme, megjithëse mundësitë për të fituar ishin të njëjta për të gjithë.
Sipas Langerit, edhe një veprim fare i vogël mund të na japë përshtypjen se situata është në duart tona. Kjo rrit ndjenjën e sigurisë dhe pakëson pafuqinë që mund të përjetojmë, transmeton Telegrafi.
Në disa godina, butoni që përdoret për mbylljen e dyerve të ashensorit mund të jetë i çaktivizuar për përdoruesit. Rregullat që lidhen me sigurinë dhe qasshmërinë kërkojnë që dyert të mbeten të hapura për një periudhë të caktuar, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara apo ata që lëvizin me paterica të hyjnë pa rrezik.
E njëjta situatë mund të haset te disa butona të vendkalimeve për këmbësorë dhe te termostatet e ndërtesave të punës. Edhe nëse efekti i tyre është i kufizuar, prania e këtyre pajisjeve i bën njerëzit të ndiejnë se po ndërhyjnë për ta ndryshuar gjendjen.
David Maister, ekspert i menaxhimit të pritjes, ka shpjeguar se koha perceptohet sikur kalon më shpejt kur e mbushim me një veprim, krahasuar me momentet kur thjesht qëndrojmë duke pritur.
Ai ka sjellë rastin e një hoteli ku ankesat për ngadalësinë e ashensorëve ishin të shumta. Hoteli nuk i zëvendësoi pajisjet, por vendosi pasqyra në holl. Vizitorët nisën t’i kushtonin vëmendje pamjes së tyre dhe jo kalimit të sekondave, ndërsa ankesat thuajse u zhdukën.
Një efekt i ngjashëm u konstatua edhe në një ambulancë. Vendosja e një infermiereje që i priste pacientët menjëherë nuk e reduktoi kohën deri në vizitën te mjeku, por ata mendonin se kishin pritur më pak, pasi procesi kishte filluar që në momentin e pranimit.
Kjo mënyrë sjelljeje shfaqet edhe kur shtypim disa herë butonin e telekomandës, kontrollojmë pareshtur vendndodhjen e një porosie në pritje ose rifreskojmë vazhdimisht një faqe interneti. Edhe pse e dimë se asnjëra prej këtyre lëvizjeve nuk e shpejton atë që presim, ato na japin ndjesinë se nuk po qëndrojmë pasivë.
Ellen Langer vlerëson se, në përgjithësi, këto zakone nuk përbëjnë arsye për shqetësim. Veprime kaq të vogla nuk dëmtojnë askënd dhe mund të ulin ndjesinë e pafuqisë, duke na ndihmuar ta përballojmë më lehtë pritjen.
Dyert e ashensorit do të hapen apo do të mbyllen në kohën e përcaktuar. E vetmja gjë që ndryshon është perceptimi ynë: disa prekje të butonit bëjnë që ato pak sekonda të duken më të përballueshme.
Barcelona thuhet se është në prag të sigurimit të mbrojtësit portugez Joao Cancelo në një transferim të përhershëm me vlerë…
Alpinisti i njohur nepalez Nirmal Purja, i cili hyri në histori pasi ngjiti të 14 majat mbi 8 mijë metra…
Tre persona janë arrestuar mbrëmjen e 31 korrikut në zonën kufitare të Bllacës, pasi u kapën në flagrancë duke ngarkuar…
Kryeministri në detyrë i vendit Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë gërmimeve në Kalludër të Zubin Potokut janë…
Në ditën e pestë të kërkimeve për zbardhjen e një prej plagëve më të rënda të luftës në Kosovë, kryeministri…
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, u ka dërguar një letër institucioneve të Bashkimit Evropian, ku shpreh “shqetësimin serioz” për reagimin…