Prej muajsh kolla juaj nuk po pushon? Mjekja Afiani ju tregon shkaqet kryesore: Nga medikamentet te sëmundjet

Nga Dr. Enkelejda Afiani

Irritimi i rrugëve të frymëmarrjes pas një të ftohure apo gripi

Zakonisht simptomat nga një e ftohur apo grip kalojnë brenda disa ditëve. Por, mund të ndodhë që kolla juaj të mos qetësohet, madje mund të vazhdojë për javë apo muaj. Kjo ndodh si pasojë e ndryshimeve që shkakton virusi apo ndryshimi i temperaturave në rrugët e frymëmarrjes, mukozat bëhen të ndjeshme dhe duan kohë të kthehen në gjendjen e mëparshme.

Duhani
Duhani dëmton mekanizmat mbrojtës të rrugëve të frymëmarrjes duke rritur inflamacionin.

Përdorimi i medikamenteve që frenojnë kollën

Kolla është një refleks mbrojtës që mbron rrugët e frymëmarrjes duke nxjerrë jashtë sekrecionet apo trupat e huaj. Duke frenuar kollën, sekrecionet mbeten në rrugët e frymëmarrjes dhe ndihmojnë në mbivendosjen e një infeksioni bakterial. Po ashtu, mosmarrja në sasi të mjaftueshme e lëngjeve mund të ndikojë në zgjatjen e kollës.

Alkooli dhe pijet me përmbajtje kafeine nuk rekomandohen, pasi thajnë mukozat dhe shtojnë refleksin e kollës.

Rinitet alergjike (rrjedhje e hundëve) dhe astma
Janë shkaktarë të zakonshëm të kollës. Një infeksion viral mund të shkaktojë një atak astme. Disa njerëz mësojnë që janë me astmë, pasi kanë kaluar një të ftohtë. Në këto raste, pacienti krahas kollës mund të ketë vështirësi në frymëmarrje dhe fishkëllima në gjoks.

Sëmundje të mushkërisë
Pneumonitë dhe më rrallë, tumoret, emfizema etj, janë sëmundje specifike, të cilat diagnostikohen nëpërmjet ekzaminimeve të rekomanduara nga mjeku.

Sinusiti
Rrjedhja e sekrecioneve nga sinuset në gojë mund të nxisë refleksin e kollës. .
Refluksi i acidit. Shfaqet me gromësira, djegie gjoksi, kollë kronike të tejzgjatur.

Medikamente antihipertensive

Sëmundje të zemrës. Kolla nga insufiçienca kardiake mund të jetë e thatë ose me sekrecione shkumoze me ngjyrë rozë.

Stresi, nervozizmi apo gjendja psikologjike, mund të shkaktojnë ose zgjasin kollën.

 


Shtuar 9.03.2023 13:55