Një nishan nuk është asgjë më shumë se një hiperproliferim i grupeve qelizore normalisht të pranishme në lëkurë (melanocitet e famshme, të njohura për prodhimin e melaninës, substanca që i jep ngjyrë lëkurës). Këto grupe të melanociteve grumbullohen në lëkurë, duke krijuar ato pika apo njolla të vogla kafe deri në kafe të errët / të zezë, në forma dhe madhësi të ndryshme, të njohura si nishane.
A mund të shfaqen nishanet në çdo moshë?
Shumica e nishaneve të pranishme në trupin tonë nuk kanë qenë të pranishme në lindje, por janë shfaqur më vonë: në fëmijëri ose në adoleshencë. Një pjesë e mirë e tyre rriten gradualisht, gjatë dhjetë viteve të para të jetës dhe pastaj rriten ndjeshëm gjatë adoleshencës, kur arrijnë dhe kulmin e më pas stabilizohen në të 30-40-at, duke vazhduar në reduktim progresiv. Ekspozimi në diell, veçanërisht nëse bëhet pa mbrojtje të përshtatshme dhe me predispozitën për t’u djegur, ka tendencë për të rritur numrin e përgjithshëm të nishaneve në lëkurë dhe, pa dyshim, sa më e madhe të jetë rritja e numrit të tyre, aq më i madh do të jetë rreziku i degjenerimit tumoral në melanomë, sidomos në moshën 25-30 vjeç.
Është e mundur të lindësh me nishane?
Absolutisht po. Edhe pse janë më pak të shpeshta në lindje, është e mundur. Në shumicën e rasteve, veçanërisht nëse bëhet fjalë për lezion të vogël (2 cm), nuk është nevoja të shqetësoheni, por duhen mbikëqyrur normalisht, si çdo nishan tjetër. Nëse nishani është i madh (20 cm i gjerë), rreziku i melanomës është më i madh dhe ka nevojë për mbikëqyrje më të kujdesshme.
Kur duhet të shqetësohemi për një nishan?
Më poshtë janë disa rregulla të thjeshta për të mësuar si të vlerësojmë një nishan:
ELEMENTET ALARMANTE:
Madhësia e nishanit: rritja e shpejtë në madhësi!
Ngjyra e nishanit: ndryshim i papritur në ngjyrë! (ndoshta mund të marrë tone të kuqe, kafe, gri, të zezë ose blu)
Forma e nishanit: ndryshimi i formës! (në mënyrë të veçantë paraqitja e degës së dhëmbëzuar dhe të parregullt)
Konsistenca e nishanit: shfaqja e papritur e erozioneve, ulceracioneve, gjakderdhjes, ngurtësimit, deskuamimit.
Dëmtimet shoqëruese për një nishan: shfaqja e “reve” të vogla përreth, që nuk kanë qenë të pranishme më parë.
Limfonodujt satelitë të nishanit: zgjerimi i nyjeve limfatike në zonat përreth një nishani që ka anomali, nuk duhet të nënvlerësohet! Kur në vëzhgimin e një nishani shikojmë një ose më shumë prej elementeve të renditura më sipër, është e rëndësishme një konsultë me mjekun (ose pediatrin në rast se janë fëmijë), për të vendosur së bashku nëse është e përshtatshme heqja e nishanit me ekzaminim histologjik. Në të njëjtën kohë, do të ndiqet periodikisht nëpërmjet nevoskopisë së specializuar dermatologjike, që në kohën e adoleshencës, gjashtë herë në vit ose siç vendoset nga specialisti. Në raste të veçanta, qysh në fëmijërinë e hershme mund të jenë të nevojshme nevoskopi periodike, veçanërisht nëse është i pranishëm ndonjë nga faktorët e rrezikut për melanoma, si: rastet e melanomave në familje, sindromi i nishanit displazik apo nevus gjigant kongjenital.