Këtë të enjte në rubrikën “Mjekësia Alternative” në “ABC e Mëngjesit”, profesori dhe doktori i shkencave bujqësore, Zef Gjeta, ka dhënë disa këshilla se si të kemi një tru të shëndetshëm.
Ai ka treguar se çfarë duhet të konsumojnë veçanërisht ata që ndihen si të plogësht, nga farat e lulediellit deri te çajrat e ndryshëm.
“Ne po bisedojmë se si ta mbajmë të shëndetshëm trurin dhe në të gjitha situatat e jetës të jemi aktiv dhe të reagojmë pozitivisht. Truri për specifikën e vetë krahasuar me pjesët e tjera të trupit është një organ që përmbajtje të lartë të yndyrës në vetvete. Edhe sipas të dhënave shkencore, shkon deri në 60%. Për këtë arsye një nga elementët e rëndësishëm është një dietë e balancuar, ku të mos kemi shumë sheqerna sepse këto do të na ndikojnë në raport me yndyrnat dhe proteinat. Pra, dieta e balancuar ushqimore, është masa e parë dhe më e rëndësishmja që ne mund të marrim për pasur trurin më të mirë.
Si masë e dytë, mund ta mbajmë trurin shumë aktiv, duke përdorur ushqime që ndikojnë pozitivisht. Këtu mund të përmendim, lulen e diellit. Njerëzit që ndihen si të plogësht dhe të fjetur, rekomandojmë të konsumojnë 200 deri në 250 gram në ditë. Po flasim për farat e zhveshura, se ndryshe do të ishte më shumë. Rekomandohet t’i përdorin për 3 javë, më pas të konsultohen me mjekun.
Një ndikues pozitiv është edhe trëndafili i egër, në përbërje të tij ka disa lloj vitamina dhe enzimash, të cilat ndikojnë në gjithë trupin e njeriut, veçanërisht te truri. Në këtë drejtim ndikojnë edhe mentja dhe bari i bletës, dy çarja që ndihmojnë në aktivizim të trurin. Ne jemi mësuar të dëgjojmë që çaji i kamomilit të qetëson, ai rekomandohet të konsumohet se ndikon edhe në shtyllën kurrizore. Në këtë rast edhe çajra të tjera si xhinxherit, apo lulja e balsamit”, ka thënë ndër të tjera eksperti.