I shton humorin gjithë shtëpisë, nxitoni të mbillni bimën çudibërëse këtë pranverë

Trumza është një bimë mjekësore, e cila që në lashtësi është njohur si simbol i kurajos. Efekti kryesor është ai kundër mërzisë, trishtimit dhe rikthimit të humorit, që e bën trumzën jo vetëm një erëz aromatike në kuzhinë por edhe një bimë që duhet rritur dhe mbajtur në shtëpi për të përmirësuar humorin dhe gjendjen emocionale të të gjithë familjes. Në botë numërohen plot 150 varietete të trumzës, por ajo më e përdorura për kultivim në shtëpi është Thymus Vulgaris.

Si të mbillni trumzën në kushtet e shtëpisë

Ju mund të merrni degën e një bime ekzistuese të trumzës dhe ta rrisni vetë atë. Trumza rritet më së miri në vazo, për sa kohë e mbani atë në një vend të ndriçuar mirë nga dielli. Shpesh duhet ta rrotulloni vazon, që bima të marrë ndriçim nga të gjitha anët për të paktën 6-8 orë në ditë.

Trumza lulëzon shumë bukur. Ajo çel lule me ngjyrë vjollcë, të bardha dhe rozë, të cilat janë edhe të ngrënshme dhe përdoren në sallata, garnitura dhe çaj. Trumza është bimë e pavarur dhe kërkon hapësirë nga simotrat e saj, të paktën në 30 centimetra.
Gjatë dimrit, trumza ka nevojë të qëndrojë ngrohtë. Halat e pishës janë ideale për të mbuluar bazën e bimës dhe mbrojtur atë nga ngricat. Sa i përket ujitjes, trumza kërkon ekuilibër, pra duhet t’i jepni ujë, sa herë që ka nevojë, gjë që duket në thatësirën e dheut të vazos.

Gjatë pranverës dhe verës duhet ta krasisni trumzën, e cila ka tendencën të shpërthejë dhe të zerë shumë hapësirë. Gjethet dhe degët e trumzës mund të mblidhen gjatë gjithë verës. Por nëse dëshironi ta thani trumzën, atëherë mblidhini degët, lidhini së bashku dhe varini kokëposhtë në një vend të ajrosur mirë dhe në hije.

Gjethet mund t’i thani, piqni ose ngrini veçmas. Nëse dëshironi, mund t’i ruani në një enë të mbyllur mirë.


Shtuar 29.04.2022 13:29